Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka arritur në New York, ku të hënën do të ballafaqohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në këtë takim, do të prezantohet raporti i rregullt 6 mujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

Sipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës, Osmani ka udhëtuar ditën e shtunë për në Amerikë.

“Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja po ashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë qëndrimit në New York, shefja e shtetit të Kosovës pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara. Takimi i KS të OKB-së për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00.