Kryebashkiaku Jim Watson thotë se qyteti është ‘jashtë kontrollit’ pas protestave kundër masave Covid-19

Kryebashkiaku i kryeqytetit të Kanadasë Otava ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas më shumë se një jave të protestave të shoferëve të kamionëve, kundër kufizimeve të Covid.

Jim Watson ka thënë se qyteti është “plotësisht jashtë kontrollit” dhe se numri i protestuesve është më i madh sesa i zyrtarëve policorë. Sipas tij, protestat përbëjnë kërcënim për sigurinë e banorëve.

Qendra e Otavës është paralizuar, pasi rrugët janë bllokuar nga makinat dhe tendat.

Vala e protestave nisi pas prezantimit të rregullave të reja kundër pandemisë nga qeveria kanadeze , për shoferët e kamionëve. Sipas këtyre rregullave, të gjithë shoferët duhet të jenë të imunizuar ndaj Covid-19 për të kaluar kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Pas njoftimit të rregullave të reja, protestat kanë marrë përmasa të mëdha ku qytetarët protestuan edhe ndaj kufizimeve tjera të pandemisë.

Klan News