E treta në vend në tregun bankar për portofolin e kredive

Nga data 1 Dhjetor 2022, OTP Bank Albania dhe Alpha Bank Albania do të operojnë si një entitet.

Alpha Bank Albania është shkrirë me OTP Bank Albania. Ndryshimi më i rëndësishëm që klientët do hasin në ditët e para është fakti që logo dhe ngjyrat gradualisht do bëhen të gjelbërta në të gjithë rrjetin.

Si rezultat i këtij bashkimi, klientët e të dy bankave do përfitojnë nga një rrjet i zgjeruar i degëve, rrjetin më të madh në Shqipëri.

Klientët mund të veprojnë lirisht në çdo degë, në rrjetin me të madh në vend me rreth 200 ATM dhe POS me logo të OTP Bank Albania dhe Alpha Bank Albania.

CEO i OTP Bank Albania Bledar Shella në përmbyllje të këtij objektivi ka deklaruar se janë të vendosur që OTB Bank Albania të bëhet banka më e mirë në Shqipëri.

Këtij bashkimi i shtohet edhe lajmi që banka OTP Albania është njohur nga ’’The Banker“ pjesë e Financial Times,  si “Banka e vitit 2022”.

Sipas ‘TheBanker’, fituesi i çmimit për Shqipërinë si banka më e mirë për vitin 2022, OTP Bank Albania, ka qenë shembulli më i mirë i rritjes dhe zhvillimit. Banka ka rritur kapitalin e saj, si dhe totalin e aktiveve, me 19% në 2021, me fitime neto vjetore nga 8% në 2020 në 26%. Banka gjithashtu kishte kthimin më të lartë nga kapitali në sektorin bankar shqiptar, me 18.5%.

Që nga çmimet e fundit, OTP Albania ka lançuar pjesën e parë të përmirësimeve të bankingut online, duke ofruar një platformë online më të avancuar si për bizneset ashtu edhe për klientët individë.

Pjesa e dytë e përmirësimeve do të realizohet ne harkun e pak javëve dhe do të zgjerojë numrin e ofertave digjitale, duke përfshirë pagesat e faturave nëpërmjet kodit QR, nënshkrimin dixhital, menaxhimin e kartave dhe shume risi te tjera.

Në fund të vitit 2021, OTP Albania u bë gjithashtu banka e parë dhe deri tani e vetmja në Shqipëri që prezantoi shërbimet automatike për transaksionet në valutë.

Banka tani ka filluar zbatimin e një projekti tjetër të rëndësishëm, një mjet për dhënien e kredisë që do të mundësojë menaxhimin e fluksit të kredisë, nga fillimi në fund, në një mjedis dixhital, si dhe ka nisur gjithashtu strategjitë që lidhen me segmentin e bujqësisë dhe kreditë për blerje banese.

Tv Klan