Mesut Ozil është ndjerë gjithnjë si i huaj në Kombëtaren gjermane. Kritikat pas botërorit dhe mesazhet fyese që ka marrë pas dështimit në Rusi e detyruan të japë dorëheqjen nga kombëtarja. Vetë Ozil në një letër të hapur të postuar në profilin e tij në Twiter shpjegon arsyet që e çuan në këtë vendim. Akuzon për racizëm federatën dhe mediat.

“Nëse fitojmë unë jam gjerman, nëse humbim unë jam një emigrant. Trajtimi që Federata ka patur ndaj meje, tregon se unë nuk duhet të vesh më fanellën e Gjermanisë. Disa gazeta gjermane e përdorën origjinën time dhe foton me Erdogan si propagandë për axhendën e tyre politike.”

Ozil thotë se takimi me Erdogan, është njësoj si me Presidentin gjerman. Letrën e tij të hapur e analizuan fjali për fjali gjashtë gazetarë të prestigjiozes “Bild”. Në një përmbledhje ata shkruajnë se Ozil po vetviktimizohet pa shkak. Ata thonë se Erdogan është lideri i një shteti që po shndërron pushtetin e tij në diktaturë. Sipas gazetarëve të “Bild”, në të njëjtën mënyrë është kritikuar edhe Lotar Matheus për takimin e tij me Putin.

Sa i përket racizmit, Ozil shkruan se atij media i është referuar si Gjermano-turk, ndryshe nga lojtarët e tjerë si Podolski apo Klose të cilët nuk janë quajtur ndonjë herë gjermano-polakë. Letra e Ozil solli reagime të shumta në politikë. Ministrja gjermane e Drejtësisë e cilësoi atë si sinjal alarmi. Komisionerja për integrimin në qeverinë gjermanë ka thënë se të gjithë futbollistët e kombëtares duhet të kritikohen nëse përfshihen në fushata zgjedhore politike. Nga ana tjetër mbështetje për lojtarin erdhi nga politika turke. Ministri i Sporteve Mehmet Kasapoglu, tha se ky ishte goli më i bukur kundër virusit të fashizmit.

Tv Klan