“Unë shkova me pagu ujërat e zeza, se ujë të bardhë nuk kemi ne.”

Haxhi Gjutaj, banor i lagjes Valias i Ri në Kamëz që nga viti ’93, tregon serezulton debitor tek ujësjellësi në Paskuqan.

Ai shprehet se në shtëpinë e tij dhe në këtë zonë nuk ka fare rrjet ujësjellësi dhe ai ka paguar vetëm detyrimet për kanalizimet e ujërave të zeza.

Haxhi Gjutaj: Më thanë keni me pagu ujin. Unë shkova me pagu ujërat e zeza, se ujë të bardhë nuk kemi ne. E kam hapur një pus, më kanë ndihmuar vëllezër e motra dhe e kam hapur me la e shpëla dhe për të vaditur bahçen. Më thanë se pa paguar këtë, nuk t’i marrim as këto tjerat. 6 muaj kam që luftoj për këtë problem. Nuk ta heqim dot më thonë. Këta më thonë e ke në Paskuqan, unë vetëm emrin ia kam dëgjuar se jetu, tokë a shtëpi në paça atje i paguaj. E kam ba damin, e paguaj lekun. Unë atje skam jetuar asnjëherë, si t’i paguaj lekët? Se sa janë, a 2 milionë, a 1 milion, a 3 milionë, nuk e di. Figuroj debitor nga viti 2011, ndërsa unë këtu kam ardhur që në vitin 1993.  Të gjithë në lagje më njohin këtu se kush jam e ku jetoj, ata më kanë futur debi atje në Paskuqan, hajde gjeje tani ti.

Gazetarja e “Stop” iu drejtua UKK-së së Kamzës dhe drejtoritShpëtim Leskajdhe ky i fundit tha se këtë problem e ka ndeshur të paktën edhe në 300 raste të tjera, për shkak të mënyrës se si ka funksionuar UKK.

Shpëtim Leskaj: Në datën 31 Dhjetor 2011 është vendosur një faturë prej 910 mijë lekësh të vjetra. Por si ky rast nuk është i vetmi, ne kemi mbi 300 kontrata të tilla. Çfarë dua të them me këtë? Kemi edhe persona të vdekur që u shkonte fatura e ujit, sepse drejtuesi i kësaj ndërmarrje dhe kësaj bashkie më përpara, mjaftonte që ti të kishe një certifikatë banimi, në këtë qytet dhe duhej të paguaje faturën e ujit të pijshëm, edhe nëse ti nuk kishe ujë. Nëse ky do të ishte faturim periodik, ligjërisht unë nuk kam të drejtë ta anuloj këtë faturë, ligjërisht ka tagrin për ta anuluar vetëm gjykata. Pra qytetari duhet t’i drejtohet gjykatës, të thotë që mua më kanë faturuar në mënyrë të padrejtë dhe gjykata duhet të shprehet për këtë gjë. Por çfarë kemi bërë ne? Fatura prej 91 mijë lekësh të reja është anuluar. Si? Sepse bëhet fjalë për një keqfaturim, nuk bëhet fjalë për faturë periodike që çdo muaj ky njeri ka harxhuar kaq lekë. Kur bëhet fjalë për keqfaturim, është detyra ime që ta verifikoj, vlerësoj dhe anuloj, duke u konsultuar me ekspertët përkatës në ndërmarrje.

Drejtori tha se po priten fonde që të shtrohen tubacionet e ujit të pijshëm edhe në këtë zonë pa furnizim me ujë. /tvklan.al