Me shumë pak përkrahje nga institucionet e Kosovës, por me një punë dhe vullnet të madh, filmi “Pa vend”, i regjisorit Samir Karahoda do të garojë për “Palmën e Artë” në garën zyrtare të festivalit prestigjioz të filmit, atë të Kanës. Filmi i metrazhit të shkurtër “Pa vend”, është në mesin e dhjetë shteteve që do të garojnë në Festivalin e Kanës.

Ky është filmi i parë kosovar që garon në këtë festival. Filmi “Pa vend” sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta, në kontekstin e situatës së sotme. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, regjisori Samir Karahoda thotë se kjo është një prej arritjeve më të mëdha të kinematografisë së Kosovës, pasi që filmi i tij, është prodhuar nga një ekip lokal.

Radio Evropa e Lirë: Nga afër 4 mijë filma të metrazhit të shkurtër, filmi “Pa vend” u zgjodh për garën për “Palmën e Artë” në Festivalin prestigjioz të Kanës. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Samir Karahoda: Është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Është një prej arritjeve më të mëdha të kinematografisë vendore, duke përfshirë edhe ekipin, që vlen të përmendet, që është punuar me një ekip lokal. Pra, i tërë ekipi ka qenë nga Kosova. Me këtë e kemi dëshmuar se nëse bëhemi bashkë mund të arrijmë dhe të garojmë në secilin shtet të botës, sa i përket kësaj fushe.

Kinematografia, pa mbështetje të duhur

Radio Evropa e Lirë: Sa është e zhvilluar kinematografia në Kosovë?

Samir Karahoda: Jemi dëshmitarë që viteve të fundit, posaçërisht viti 2021, ka filluar me suksese të jashtëzakonshme prej festivalit “Sundance Film Festival”, ku patëm një triumf nga Blerta Basholli, pastaj Norika Sefa në Roterdam, filmi jonë është i radhës në Kanë. Deri në fund të vitit do të kemi edhe filma të tjerë në festivale të mëdha. Kjo dëshmon se kemi kapacitete që të prodhojmë filma të mirë. Ndoshta edhe qeveria apo institucionet do të marrin parasysh këtë fakt dhe të bëjnë një strategji që të mbahet ky ritëm. Nëse nuk vazhdon të përkrahet kinematografia, atëherë ky ritëm mund të bie dhe pastaj do të jetë problem të kthemi në gjendjen që kemi qenë. Sukseset e tilla të filmave tanë e ndërrojnë automatikisht perceptimin e selektorëve të festivaleve të filmit, pasi që nëse në çdo festival të madh kemi një prezencë, atëherë automatikisht fotografia jonë nga aspekti i kinematografisë do të ndryshojë.

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni të kënaqur me mbështetjen që iu japin institucionet e Kosovës?

Samir Karahoda: Nëse e krahasojmë totalin e buxhetit të filmit tonë, një pjesë është financuar nga organizatat evropiane. Para se të prodhohet filmi ynë, televizioni prestigjioz Arte, ka blerë të drejtat për shtetin e Gjermanisë dhe Francës. Po ashtu, filmi është blerë edhe nga televizioni publik i Finlandës dhe tani jemi në negociata me televizionin e Zvicrës.

Regjisori Karahoda gjatë xhirimeve të filmit "Pa vend".
Regjisori Karahoda gjatë xhirimeve të filmit “Pa vend”.

Ne kemi marrë një shumë modeste nga Qendra Kinematografike e Kosovës, që menaxhohet nga shteti. Por, mund të them që problemi më i madh është mënyra e organizimit të pagesës së këtyre fondeve që i përftojmë. Pasi që filmi ynë është përfunduar pa asnjë alokim të mjeteve, tek këtë javë i kemi marrë mjetet e filmit. Pra, filmi është xhiruar, është montuar, është pranuar në një festival (Festivali i Kanës) dhe ne nuk e kemi pranuar pagesën e premtuar nga Qendra Kinematografike. Ky është problem më i madh sesa shuma që marrim. Kur nuk i ke mjetet, nuk mundesh të punosh. Por, falë vullnetit të mirë që kemi si shoqëri dhe përkrahim njëri-tjetrin, kemi arritur ta bëjmë këtë film.

Me buxhetin vjetor që ka kinematografia dhe sukseset që përfiton vendi ynë, nuk krahasohen. Nuk ka një balancë të suksesit me mbështetjen. Nëse kishte me qenë një përkrahje më e madhe, atëherë sukseset kishin me qenë më të mëdha. Shumë pak filma përkrahen gjatë vitit. Për këtë arsye, institucionet duhet të bëjnë një politikë që i jep prioritet kinematografisë. Aty ku shohin sukses, promovim të vendit, atëherë në ato pika duhet të investohet.

Fotografi e bërë gjatë xhirimit të filmit "Pa vend".
Fotografi e bërë gjatë xhirimit të filmit “Pa vend”.

Vetëm sporti dhe kultura janë duke dërguar fotografi të mira nga ky vend (Kosova), pasi që e dimë çfarë politike kemi. Pikërisht politika është duke penguar edhe fushat tjera.

Pikërisht edhe filmi ynë e trajton një temë të tillë, ku ekipet sportive nuk përkrahen dhe i lënë fëmijët tanë, të ardhmen tonë që të gjejnë zgjidhje vet.

15 vjet në 15 minuta

Radio Evropa e Lirë: Sa kohë është dashur që të realizohet filmi “Pa vend”?

Samir Karahoda: Teknikisht, xhirimet e filmit i kemi filluar në shtator (2020), por në tregim, në koncept kam punuar një kohë më të gjatë, diku afër një vit. Me qenë se filmi e përfshin vetëm një histori 15-20-vjeçare, pra prej pasluftës deri më sot, është dashur të punohet me kujdes pasi 15 vjet i kemi vendosur në 15 minuta.

Për 15 minuta (sa zgjat filmi) kemi xhiruar nëntë ditë, por xhirime të herëpashershme jo të pandërprera. Ajo forma të cilën unë e punoj filmin, zakonisht dua që t’i përfshij të gjitha stinët e vitit sepse tregimi është një histori e gjatë dhe është dashur të tregojmë se kanë kaluar vitet dhe tregimi vazhdon, e kështu me radhë.

Regjisori Karahoda thotë se për filmin, që zgjat 15 minuta, ka xhiruar nëntë ditë, në të gjitha stinët e vitit.
Regjisori Karahoda thotë se për filmin, që zgjat 15 minuta, ka xhiruar nëntë ditë, në të gjitha stinët e vitit.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë ato rrëfime që po i bëjnë përshtypje artdashësve të huaj?

Samir Karahoda: Punën që e kam si selektor i filmave në festivalin tonë DokuFest, kryesisht temat që dominojnë janë të drejtat e njerëzve, qofshin për një shoqëri të caktuar, pastaj të drejtat e femrave dhe barazisë gjinore. Në anën tjetër, numri i filmave artistikë që punohen, kryesisht kanë tema që trajtojnë të drejtat e njerëzve dhe problemet e shoqërisë në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: Bosnje dhe Hercegovina është një vend që prodhon filma, të cilët jo rrallëherë, janë vlerësuar me çmime në festivalet prestigjioze ndërkombëtare. A mund që edhe Kosova të arrijë në një stad të tillë?

Samir Karahoda: Ndoshta Bosnja ka një traditë më të gjatë të filmit. Ata nuk e kanë pasur atë pengesë gjatë kohës së regjimit siç e kemi pasur ne paraluftës, kur ka qenë e ndaluar që të prodhohen filma. Ndoshta kjo ne na ka lënë pak prapa për dallim me vendet fqinje apo në ish-Jugosllavi. Sa i përket këtij momenti, mendoj që Kosova është duke e përjetuar një valë të re të kinematografisë, ku pothuajse shumica e filmave që po dalin, edhe ato pak që dalin, shumica e tyre po kanë suksese ndërkombëtare.

Sa i përket dallimit me Bosnjën, siç thash më herët, Bosnja ka një traditë më të gjatë, kanë qenë të nominuar edhe për Oscar, bile e kanë fituar një Oscar në vitet e kaluara. Por, ne nuk jemi larg tyre. Mendoj që shumë shpejt do t’i arrijmë, ndoshta edhe do t’i kalojmë, sa i përket filmit.

Radio Evropa e Lirë: A prisni të fitoni “Palmën e Artë”?

Samir Karahoda: Meqenëse vetëm dhjetë filma janë përzgjedhur nga afër 4 mijë filmave, mendoj se do të jetë një konkurrencë e fortë. Unë i qëndroj besnik filmit tonë, pasi që e kam punuar me përkushtim. Është një vepër që ka vlera, qoftë artistike, qoftë në përmbajtje të filmit, por nuk mund të them asgjë pasi që nuk i kam parë filmat tjera. Por, shpresat i kemi, shanset i kemi pasi që 10 përqindëshin e kemi të siguruar. I mbetet jurisë.

“Pa vend”, në DokuFest

Radio Evropa e Lirë: Kur mund ta shohin filmin artdashësit në Kosovë?

Samir Karahoda: Planet për shfaqjen në Kosovë janë për në DokuFest në muajin gusht, që i bie më pak se dy muaj, me qenë se para Festivalit të Kanës nuk mund të bëjmë premierë, pasi që rregullat e festivalit janë të tilla. Filmi për publikun vendor do të jetë në dispozicion prej muajit gusht, në DokuFest./REL