Nuk hapen negociatat me Tiranën e Shkupin

Posta

Nuk hapen negociatat me Tiranën e Shkupin

15:30 18/10/2019

Merkel: Keqardhje. Tusk: Është gabim

Liderët e vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Franca, Holanda e Danimarka ishin kundër. Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu keqardhjen për këtë vendim.

“Për çështjen e zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk patëm unanimitet. Pozicioni i Gjermanisë ishte që të hapnim me kushte negociatat por kjo nuk u pranua unanimisht. Ndaj më vjen shumë keq. Do të punojmë për këtë temë edhe në samitin e Kroacisë, por nuk arritëm një marrëveshje. Kanë qenë tre vende Danimarka, Franca dhe Holanda që kanë kundër shtuar. Do të ketë natyrisht zhgënjim. Nga njëra anë është dëshira e Francës që kërkon që të ndryshojë procedurat e zgjerimit përpara hapjes së negociatave. Franca kërkon edhe kthim pas në proces kur nuk arrihen objektivat…Shqipëria ka bërë përparime të dukshme. Ka ndërmarrë procesin e Vetingut prej kohësh dhe po vendos gjykatës të rinj. Është një masë shumë e madhe, që edhe vende të tjera të Ballkanit ende nuk e kanë ndërmarrë. Kjo ka pasur po ashtu një vlerë të madhe për Shqipërinë por gjithsesi nuk ia arritëm të gjenim një marrëveshje.”

Në krahun tjetër Presidenti Francës i qëndroi deri në fund idesë së tij për të mos e vazhduar procesin e zgjerimit derisa të reformohet Bashkimi Europian.

“Na duhet një reformim, duhet të reformojmë procesin në mënyrë që të ketë dallime me atë që ishte më përpara. Ka patur disa vende në fakt, jo pak, por disa që ishin kundër hapjes së negociatave. Janë vënë në pah përpjekjet e dy vendeve, Rama dhe Zaev kanë bërë punën e tyre, të mos e gënjejmë veten, kemi nevojë për progres për proceset tona dhe më pas të vazhdojmë me të tjerat.”

Të ashpër ishin në qëndrimet e tyre krerët e Bashkimit Europian sipas të cilëve ky samit i ka vënë në pozicion të vështirë.

“Nuk është një dështim. Është gabim. Ndihem shumë i zënë ngushtë. Nuk dua të mbroj palën maqedonase apo atë shqiptare, qeveritë apo liderët e tyre. Kështu u ndjeva pas diskutimeve të djeshme. Të dy vendet i kaluan provimet, por këtë nuk e them dot për vendet tona anëtare”, tha Donald Tusk, President i Këshillit Europian.

Ndërsa Jean Claude Juncker, President i Komisionit Europian tha se “nëse ky është fundi i zgjerimit duhet të përballemi me kritika të forta, sepse ne po inkurajonim këto vende, po i ndihmonim dhe po i bënim premtime publike. Nëse duam të respektohemi, ne duhet të mbajmë premtimet.”

Përmes Twitterit, komisioneri për zgjerimin Johanes Han e konsideroi gjithashtu dështim të BE-së në mbajtjen e premtimeve dhe paralajmëroi rrezikun e destabilizimit të Ballkanit.

“Është një zhgënjim ekstrem. BE duhet të qartësojë tani sa serioze është me angazhimin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Refuzimi i njohjes së progresit do të ketë pasoja negative, përfshirë edhe rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë tek Bashkimi Europian.”

Ideja e presidencës finlandeze për të ndarë vendimin për Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria është hedhur poshtë nga Italia. Kryeministri Conte foli për një gabim historik.

“Shkoi keq. Nga dje, viti 2019 do të kujtohet si një gabim historik dhe për këtë më vjen shumë keq. Ata janë një forcë e madhe dhe absolutisht duhej t’u hapnim negociatat për anëtarësim, nuk po vendosnim t’i anëtarësonim.”

Samiti i radhës ku do të diskutohet për çështjen e negociatave do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.  

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi