Pacientët post-Covid, mjekja: Më të prekur moshat mbi 50 vjeç


Pacientët post-Covid, mjekja: Më të prekur moshat mbi 50 vjeç

14:53 23/09/2021

Në 3 pavijonet e “Shefqet Ndroqit” po trajtohen ata që kanë edhe sëmundje të tjera

Qytetarët që kanë kaluar koronavirusin dhe që vijojnë të vuajnë pasojat post-Covid nuk janë të paktë. Shefja e Pneumologjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala tregon simptomat më të shpeshta që ndesh kjo kategori pacientësh, që nga problemet me frymëmarrjen dhe imuniteti i dobët.

“Pacientët mbartin simptoma ku më të shpeshtat janë vështirësia në frymëmarrje, kolla e fortë nxitëse, debulesa dhe nga ndryshimet anatomike të mushkërive, është fibroza, e cila është pasoja mbetëse e COVID-19 në këto pacientë”.

Përgjithësisht janë 4-5 pacientë në klinikat përkatëse të “Shefqet Ndroqit”, për të cilët zbatohet një protokoll i veçantë para se ata të shtrohen në spital.

“Në çdo klinikë, ne mund të kemi 4-5 pacientë të cilët janë me post apo long Covid. Ne kemi shumë kujdes te pjesa e post-Covidit për faktin që këto pacientë të jenë të negativizuar, ndërkohë të mos kenë pneumoni aktive në mushkëri nga COVID-19. Mundet që lavazhi i tyre i thellë në rrugët ajrore mund të përmbajë genome të virusit”.

Sipas mjekes, pacientët që vuajnë pasojat post-Covid janë kryesisht grumpmoshat mbi 50-vjeçare që kanë patur edhe sëmundje të tjera të mëparshme.

“Janë të sëmurë të cilët janë të moshës mesatare, 50 e lart, janë pacientë që trashëgojnë sëmundje: diabetikët, anemikët”.

Kjo kategori nuk duhet të neglizhojë asnjë simptomë, ndaj duhet të konsultohet me specialistët pasi mbivendosja e problemeve shëndetësore mund të bëhen kërcënuese për jetën.

Klan News






Të ngjashme