Një ditë më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi problematikën e fëmijëve që kanë probleme me dëgjimin. Por për shkak të burokracive dhe interesave klienteliste, tenderi për implantin koklear në Spitalin Francez pranë QSUT është anuluar dy herë edhe aktualisht është i pezulluar, pavarësisht se në vitin 2014 Qeveria akordoi përmes VKM-së një fond të posaçëm.

Drejtuesi i Spitalit Francez, Besim Boçi, sqaron për emisionin detaje nga tenderi i dështuar dhe pse ka ngecur procedura.

Shefi i Spitalit Francez: Ju falenderoj për shqetësimin që keni ngritur tek emisioni juaj, për një çështje që është e rëndësishme për ata që e njohin dhe e kanë në familjet e tyre. Është e vërtetë që për rimbursimin e implantit koklear ka dalë një VKM në vitin 2014 dhe pas daljes së VKM-së shërbimi jonë u mor bashkë me Fondin e Shërbimit të Detyrueshëm Shëndetësor u mor për përcaktimin e kostos dhe pas një pune të madhe arritëm që para dy vitesh të përcaktojmë koston e implantit koklear. Nisur nga nevojat e shumta që kemi, u mendua që vitin e parë të fillohet me 15 raste dhe në vitin 2018 filloi procesi i tenderimit të implantit koklear në QSUT. Procesi i tenderimit, pasi shërbimit iu kërkuan specifikimet teknike u shpall në APP dhe pas këtij momenti ka filluar një luftë dhe një përpjekje që nuk e dimë se kur do marrë fund për të arritur rezultatin përfundimtar për përfundimin e tenderit. Se si Komisioni i Prokurimit Publik arrin dhe të ndryshojë specifikimet teknike. Në dijeninë time KPP merret me anën juridike të çështjes dhe nuk besoj që është në tagrin e tyre të ndryshojnë specifikimet teknike. Në të kundërt neve ndërrojmë rolet dhe ata të marrin përsipër edhe pjesën e mjekut. Këtu është ngërçi dhe nuk besoj që ky ngërç për sa kohë KPP ndryshon specifikimet teknike, nuk besoj që do zgjidhet. Megjithatë, kam shumë shpresë që të zgjidhet njëherë e mirë që këta fëmijë të zgjidhet problemi madhor që kanë me dëgjimin.

Për shkak të tenderit që është pezulluar dhe që bllokon punën për ndërhyrjen kirurgjikale ndaj fëmijëve, vjen një rast kur një familje ka fituar me gjyq dëmshpërblimin. Avokati i organizatës “Together for life” tregon se gjykata ka dëmshpërblyer me 68 milionë Lekë të vjetra një pacient që nuk kishtë vënë dot implantin.

Avokati i shoqatës “Together for life”: Së bashku me Komitetin Shqiptar të Helsinkit kanë ndjekur vitin e shkuar një proces gjyqësor në të cilin një i mitur i është drejtuar gjykatës me kërkesë padi për konstatim diskriminimi dhe shpërblim dëmi të shkaktuar nga mosvendosja e implantit koklear. I mituri në fjalë është diagnostikuar nga shërbimi i ORL-së pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, e cila ka konstatuar domosdoshmërinë e vendosjes së implantit koklear si e vetmja mënyrë mjekësore për korrigjimin e problemit të të miturit në dëgjim. Sipas statistikave, janë rreth 20-30 që lindin çdo vit me probleme në dëgjimin e tyre, një pjesë e të cilëve janë kandidatë për vendosjen e implantit koklear. Gjatë procesit gjyqësor, ekspertët e thirrur nga gjykata, konstatuan nevojën që i mituri duhet t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. U konstatua gjithashtu diskriminimi i të miturit në formën e mohimit të përshtatjes së arsyeshme. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë në muajin Prill 2018 konstatoi diskriminimin e të miturit dhe vendosi gjithashtu edhe ndreqjen e pasojave të shkaktuara nga diskriminimi. Konkretisht, vendosjen e implantit koklear tek i mituri, po ashtu dhe shpërblimin e dëmit në shumën prej 6.8 milionë Lekë të reja.

Po kështu, edhe Komisioneri për diskriminim e ka konsideruar diskriminuese këtë situatë. /tvklan.al