69-vjeçari është në gjendje të rëndë

Një 69-vjeçar i infektuar me koronavirus që po merrte trajtim në spitalin Covid 1, që gjendet në brendësi të QSUT, ka tentuar t’i japë fund jetës duke u vetëhedhur nga ballkoni i dhomës ku qëndronte prej disa ditësh”.

Ka qenë ora 12:30 kur pacienti Reshat Grendi është hedhur nga kati i tretë i godinës së shërbimit infektiv. Fatmirësisht akti nuk ka rezultuar fatal.

Sipas Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, pacienti është marrë menjëherë nga mjekët e spitalit Covid 1, ku po vijon trajtimin edhe për plagët e marra.

Burime brenda këtij spitali bëjnë me dije se pacienti është në gjendje të rëndë.

Ky është pacienti i katërt me Covid që hidhet nga lartësia për t’i dhënë fund jetës.

Më herët, 3 pacientë që po trajtoheshin ne spitalin Shefqet Ndroqi kanë ndërmarrë të njëjtin akt dhe që ka rezultuar fatal për ta.

Rasti i parë ishte në 13 Gusht kur një 29-vjeçar nga Durrësi u hodh nga kati i tretë. Në 2 Shtator të njëjtin akt ndërmorri një 65-vjeçar. Dhe në 1 Nëntor një 52-vjeçar i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit Shefqet Ndroqi.

Prokuroria ka nisur hetimet për 3 rastet por ende nuk ka asnjë konkluzion.

Tv Klan