“Kalova nga Shqipëria ku shqyrtova projektin për Thumanën”

Arriti para dy ditësh në Aeroportin e Rinasit në Tiranë dhe deri më sot nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tij.

U aludua se kreu i AKR-së Behgjet Pacolli mund të ketë hyrë ilegalisht me veturë zyrtare të Presidentit në Kosovë, derisa edhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme kërkonte që vetë Pacolli të tregonte se ku ndodhej.

Sot Pacolli u lajmërua nëpërmjet një statusi në Facebook të shoqëruar edhe me nje fotografi. Thotë se ndodhet në Shqipëri në banesën e tij, duke ndjekur nga afër projektin e Thumanës.

Ka kritikuar qasjen e Kryeministrit Kurti dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme ndaj tij.

“Ç’është ky Xhelali, sinonim i xhandarit personal të kryeministrit në letërsinë komuniste, që shkel ligj dhe kushtetutë e që më kërcënoka mua, ndërsa jam duke përkryer projektin e rindërtimit të Thumanës nga tërmeti, në banesën time? Ç’janë këta policë të mendimit, këta luogotenentë marksistë që kërcënojnë dhe Kryeministrin e Shqipërisë se më strehoka mua? Mua që me votën time mund të votokam qeverinë e pasardhësit të zotëri Kurtit? Kam dhimbje të madhe se stili juaj i të bërit politikë, po dehumanizon brezin e ri të Kosovës, po e merr peng atë, rininë, ëndrrat e saj”.

Pacolli fillimisht kishte pasur telashe rreth lejeve për të ateruar në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Ndonëse e mori atë, ai vendosi të aterojë në Tiranë ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë u tha se ai do të karantinohet ose më e pakta do të nënshkruar një deklaratë vetëizolimi në shtëpi ku i pamundësohej pjesëmarrja e tij në Kuvend për të votuar për qeverinë Hoti. Pacolli është pjesë e negociatave për bashkëqeverisje me LDK-në.

Tv Klan