“Nuk duan që të votoj qeverinë e re”

AKR-ja e Behgjet Pacollit synon të jetë pjesë e qeverisë së re Hoti. Por këtë po e vështirësojnë autoritetet në Kosovë.

Kreu i AKR-së kishte planifikuar që të mbërrinte në Prishtinë për të qenë pjesë e marrëveshjes dhe pastaj për të votuar qeverinë Hoti në seancën e Kuvendit.

Ai kishte marrë leje nga Ministria e Infrastrukturës për të ateruar në aeroportin e Prishtinës me aeroplanin e tij privat.

Ministria e Shëndëtësisë, me t’u bërë publik lajmi në media, ka thënë se Pacolli do të karantinohet si të gjithë të tjerët për dy javë radhazi në qendrën e studentëve.

Ka reaguar menjëherë Pacolli duke e quajtur lajmin tronditës.

“Pas dy muajsh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetësore, diçka që ua deshmova me dokumente, më pengojnë të vij në Kosovë! Jam unë që rrezikoj duke ardhur në vendin tim nga Zvicra, ku ka një sistem kujdesi shëndetesor të përparuar, por dua të respektoj votën e qytetarit për mua!

Ju qeveritarë të Kosovës, kështu do bëni dhe me diplomatë zviceranë a perëndimorë që mund të vijnë në Kosovë? Do t’i karantinoni? Kush e bën këtë? Po e bën një qeveri të cilën unë e kam votuar! Për më shumë nuk kam votuar as mocionin për rrëzimin e saj”!

Pacolli më pas ka njoftuar se autoritetet në Kosovë i kanë anuluar atij edhe lejen për aterim. Sipas tij, kjo qeveri në mënyrë primitive, diktatoriale, po e privon të kthehet në vendin e tij.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë në një reagim thotë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga ana e Pacollit për kthimin e tij në Kosovë, por megjithatë instiston se masat janë të njëjta për të gjithë qytetarët.

Tv Klan