Pak para nisjes së votimit për presidentin, deputeti i AKR Behgjet Pacolli u pa duke biseduar me kandidaten për këtë post, Vjosa Osmanin. Ky detaj nuk i shpëtoi gazetarëve atje, të cilët gjatë pushimit prej 30 minutash të vendosur nga kreu i Kuvendit, e pyetën për çfarë kishin biseduar. Pacolli u përgjigj duke thënë se kishte pasur një bisedë normale, por pa dhënë detaje.

Pacolli tha më tej se ishte kthyer nga rruga për të marrë pjesë në votimin e kësaj të shtune, e se Kosova e meriton të ketë një president.

“Po e kryej obligimin e deputetit sipas përgjegjësisë edhe për shtetin edhe qytetarët. Vota është e fshehtë. Kam marr pjesë në votim. Kam kryer obligimin tim me shumë përgjegjësi ndaj atyre që më kanë votuar dhe shtetit të Kosovës”.

“Jam kthyer nga rruga për të qenë në këtë moment të rëndësishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Kam votuar dhe kam votuar sipas përgjegjësisë time. Është dashtë të përfundojë sonte procesi i votimit. Kosova e meriton të ketë president dhe besoj se do të ketë”.

Gazetarëve ai u tregoi edhe një biletë avioni, që tha se ishte edhe letra që kishte shkëmbyer me deputetët e LDK-së./tvklan.al