Nuk pranohet nga Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme

Padia e Presidentit Ilir Meta ndaj Kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, u dërgua njëkohësisht në 3 prokurori, atë të Përgjithshme, të Krimeve të Rënda dhe të Tiranës, por duket se vetëm kjo e fundit mund ta regjistrojë atë.

Organi qendror i akuzës, pasi u njoh me padinë e Presidentit Meta vendosi që çështjen t’ia delegojë Prokurorisë së Tiranës.

Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku argumentonte se ky institucion nuk mund të kryejë më hetime pas ndryshimeve të fundit ligjore.

Ndërsa në Prokurorinë e Krimeve të Rënda çështja u mor fillimisht në dorë nga Prokurori Klodian Braho, por edhe ky i fundit vendosi t’ia dërgojë për kompetencë prokurorisë së kryeqytetit.

Sipas Brahos, akuzat që ngre Meta për Dvoranin “shpërdorim detyre” dhe “përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”, nuk mund të hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për shkak se nuk janë në kompetencë të tyre.

Prokuroria e Tiranës ende nuk ka marrë në shqyrtim padinë. Presidenti Meta vendosi të padisë Ardian Dvoranin, pasi i konsideron veprimet e tij në rastin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Tv Klan