Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori, ish-Drejtorin Ekzekutiv të Aviacionit Civil, Feliks Baçi me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike”.

Nga auditimi për periudhën Janar 2016 deri më Dhjetor 2017 rezultoi se dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të Autoritetit të Aviacionit Civil, i cili është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e transporti ajror në Republikën e Shqipërisë, arrin në vlerën 48 milionë lekëve.

Kështu, në tre procedura prokurimi për aeroportin e Kukësit rezultoi se operatori ekonomik me të cilin është nënshkruar edhe kontrata, është kualifikuar në kundërshtim me kriteret, specifikimet teknike dhe dokumentet e tenderit.

Po ashtu konstatohet se ka mospërputhje midis çmimit të deklaruar në formularin e ofertës, si dhe çmimit për të cilin është nënshkruar kontrata respektive midis palëve, si dhe nuk janë pasqyruar drejtë arsyet për skualifikim të operatorëve të tjerë pjesëmarrës.

Një tjetër shkelje është se janë emëruar në pozicione të ndryshme pune pa procedurë pranimi në shërbimin civil, 22 punonjës me kontratë, si dhe 24 punonjës nuk plotësojnë kriteret për kualifikimet dhe arsimimin e kërkuara.

Tv Klan