Kreu i qeverisë, Edi Rama në një video-mesazh në Facebook lidhur me disa çështje në këtë situatë të shkaktuar nga koronavirusi, njoftoi se pensionistëve sot u është derdhur pensioni ndërsa tha se do të ketë rritje duke nisur nga ky muaj.

Rama tha se për sa u përket bizneseve të vogla që do të marrin “pagë lufte”, derdhja e parave do të behët direkt në llogaritë e përfituesve dhe se nuk do të mbahet asnjë komision, duke u bërë thirrje që prej ditës së nesërme të aplikojnë për të përfituar paratë.

Kryeministri bëri me dije se në listën e këtyre bizneseve të vogla që plotësojnë kriteret për të përfituar pagë, janë po ashtu edhe punonjësit e shkollave apo kopshteve, por edhe shoferët e taksive, duke iu dhënë përgjigje kështu shqetësimit të disa qytetarëve.

Ai tha se në vijim do të dyfishohet edhe ndihma ekonomike për familjet në nevojë.

Kreu i qeverisë, u shpreh se pavarësisht presionit, bujqësia nuk është ndalur së punuari dhe se ka pasur një rritje të eksportit krahasuar me vitin e shkuar.

Ndërkaq sa i takon situatën në sistemin shëndetësor, Rama tha se ndodhet në gjendje shumë të qëndrueshme. Ai sqaroi edhe një herë se mjekët dhe infermierët, si dhe personeli mbështetës në fronit e parë të përballjes me Covid-19, siç u është premtuar do të marrin pagën bonus deri kur lufta me këtë virus të përfundojë. /tvklan.al