Kryeministri Edi Rama në një dalje publike njoftoi planin financiar me 7 pika për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.

Duke bërë thirrje për rritje të vigjilencës dhe një kujdes të shtuar, duke mos dalë nga banesat, Rama tha se lufta bëhet me një armik të panjohur që ka ardhur për të marrë të dashurit tonë.

“Nuk jemi si në kohën e tërmetit, pasi na hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra në mos mijëra jetë dhe rrezikon të na shtrojë në spitale apo palestra mijëra të tjerë…

Kemi vetëm veten dhe njëri-tjetrin dhe askush që nuk flet, nuk qan shqip nuk na dëgjon.

Nuk kemi ku të trokasim, s’ka mbetur derë në botë që nuk është mbyllur…”.

Në radhën e planit ekonomik që paraqiti sot, Rama njoftoi se paga e anëtarëve të këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit, do të përgjysmohen deri në përfundim të kësaj situate.

Ndërkaq ai ka falënderuar Presidentin Ilir Meta, ndërsa e ka lënë në dorën e tij dhe të gjithë drejtuesve të lartë të institucioneve nëse duan apo jo të dhurojnë gjysmën e pagës së tyre.

“Unë doja që qysh në planin A të hiqnin diçka nga vetja dhe nga biznesi i madh, por më bindën se ky mesazh mund të perceptohej si mesazh i gabuar ku do të dilte se shteti s’ka para për pensione e rroga, ndaj nuk do preket asgjë përveç anëtarëve të këshillit të ministrave dhe deputetëve, të cilët do marrin gjysmën e rrogës deri në fund të luftës.

Nuk dua të krijojmë asnjë keqkuptim duke përgjysmuar pagën e Presidentit, që haka e do që ti bëjë një falënderim të madh se po bën sa mundet qysh kur kemi hyrë në këtë luftë, apo paga e drejtuesve të lartë të institucioneve… në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo”. /tvklan.al