INSTAT ka dalë me një raport sa i takon rritjes së çmimeve për muajin Mars. Raporti tregon se çmimet në Shqipëri janë rritur me 2.1%, vlerë kjo që ka kaluar 2 muajt e parë të vitit. Çmimet përgjatë muajit Mars ishin më të larta se në muajin Janar dhe Shkurt.
Nga studioja lëvizëse e “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi tha se rritje të madhe kanë pasur dhe produktet bujqësore dhe ato blegtorale. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit Shqipëria ka nivelin më të lartë të çmimeve dhe nivelin më të ulët të pagave.
Sipas ekspertes së ekonomisë rreth 40% e rrogës së shqiptarëve shkon për shpenzime konsumi, ndërkohë që në vendet e tjera të Ballkanit, shpenzimet për konsum arrijnë vlerat 13% deri në 20%.
“Jemi një nga vendet me paga mesatare dhe minimale më të ulët në rajon, por pas Serbisë me një kosto shumë të lartë jetese. Ky është një problem shumë i madh. Nga ana tjetër kemi një inflacion 2.1%, të thuash një inflacion 2.1% kur vetë Banka e Shqipërisë thotë që duhet të jetë nën 3%. I bie që ne kemi më shumë para në dispozicion, por nuk po shohim gjë me sy. Një problem tjetër është që çmimet e ushqimeve dhe produkteve bujqësore janë shumë të larta. Nëse flasim për këtë muaj ne i kemi çmimet e konsumit më të larta se Janari dhe Shkurti. Janë rritur gati me 1%. Pjesën më të madhe të pagës individët që nga viti 2019, sipas INSTAT shqiptarët 40% të pagës e shpenzojnë për konsum, për produkte ushqimore. Nga 2019 e deri tani jemi varfëruar më shumë. Shohim që më shumë se gjysmën e të ardhurave tona ne e çojmë për konsum, kurse vendet e tjera të Ballkanit e kanë 13% deri në 20%”, tha ekspertja./tvklan.al