Kadia: Do të na kushtojë më shumë nëse falimentojnë

Ekspertët e ekonomisë kërkojnë që qeveria të zgjerojë paketën e masave ekonomike të dhënies së pagave edhe për punëtorët e kompanive të mëdha, duke mos diferencuar bizneset.

Besart Kadia shprehet se situata e bllokimit të shumë aktiviteteve të ekonomisë po sjell probleme të mëdha për të gjithë. Shumë kompani që klasifikohen si biznese të mëdha nuk do të mund të paguajnë dot punëtorët dhe do të falimentojnë, çka do të rrisë në të ardhmen papunësinë.

Kadia argumenton se marrja e kredisë për të paguar pagat e punonjësve nuk është një zgjidhje, ndërsa kostot e dëmeve ekonomike do të jenë më të mëdha nëse ata të cilët nuk ndihmohen sot, nesër do të mbyllen duke dhënë disa efekte zinxhir në ekonomi.

“Rritje e papunësisë, rënie e konsumit, reduktim i aktivitetit ekonomik, më pak të ardhura në buxhet”.

Ai sugjeron që qeveria siç mori modelet ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e COVID-19, të marrë edhe paketat ekonomike të ndërhyrjes që kanë bërë këto shtete.

Përpara dilemës së rritjes së borxhit apo falimentit të bizneseve, ekspertët zgjedhin atë të shtimit të huave të qeverisë, të cilat në të ardhmen do të paguhen përmes taksave që derdhin punëtorët e bizneset.

Tv Klan