Përparim Salihaj rrëfeu në programin “Historia ime” në Tv Klan situatën e vështirë në të cilën ai ndodhet. Para 10 vitesh, ai ka paguar lekët për blerjen e një apartamenti, por asnjëherë nuk arriti që të merrte dot letrat e pronësisë.

Pati besim tek miku i tij dhe bleu një apartament në pallatin që firma e mikut të tij e kishte në ndërtim e sipër. Pasi bëri shlyerjen e kësteve të parave, mori çelësat e apartamentit, por nuk u pajis me dokumentet përkatëse.

Në studio, Përparimi shprehet se ka mbetur pa zgjidhje dhe nuk di ku të drejtohet, prandaj dhe ka ardhur në program, për një zgjidhje sepse miku i tij prej 10 vitesh, i premton se do rregullohet, por pa rezultat.

Përparim Salihaj: Tani ne ngelëm kështu dhe e besojmë me fjalë, jo do ta bëj sot, jo do ta bëj nesër dhe unë ngela në pritje, ka kaluar 10 vjet. Dhe u detyruam tani, t’i drejtohem organeve, që i shohim dhe na pëlqejnë, që janë për popullin. Ne jo se nuk njohim fare, domethënë në kuptimin injorant, por pjesën juridike nuk e njohim dhe duhet të na drejtojë dikush. Ne themi ishalla po na japin krah dhe po na japin drejtim, se ndryshe ne andej për një dokument të sorollatin, të përbuzin, nuk kemi kohë, e kështu.

Mirela Milori: Tani hipotekën e apartamentit kush e ka? Domethënë apartamenti është bllokuar nga shteti dhe në pronësi të kujt është, të ndërtuesit, të shtetit?

Përparim Salihaj: Të ndërtuesit, kompani është!

Mirela Milori: Dhe të gjitha apartamentet nuk kanë hipotekë, apo ka disa apartamente që kanë dhe ka disa që nuk kanë?

Përparim Salihaj: Në këtë pallat, hipotekën e kanë marrë 6 veta, e kanë certifikatën, madje dhe sot pyeta dhe e kanë.

Mirela Milori: Po pse disa e kanë dhe disa nuk e kanë?

Përparim Salihaj: Po se ndodhi kjo, që u bllokua në këtë moment dhe kur shkova në Krujë tek kadastra më thanë është i bllokuar tha s’kemi ç’bëjmë. Dhe një i njohur që ishte i thashë: Si t’ia bëj, se ky po më mashtron? Është i bllokuar tha, po nuk u zhbllokua, ai s’bën dot asnjë lloj aktiviteti. Dhe kemi ngelur tani në mes të rrugëve. Ajo u bllokua, tani është në punë e sipër, por shteti këtu është, nuk është larg, ta kërkojë ta gjejë dhe e gjen kollaj, se nuk është larg dhe ta shtrëngojë.

Mirela Milori: Ke folur me të në mënyrë miqësore, në mënyrë njerëzore?

Përparim Salihaj: Kam folur, ai të pret shumë bukur, buzagaz, si e thotë ajo shprehja italiani buzagaz, por asnjë gjë. Dhe ky të pret shumë mirë, kënaqesh me të, të mbush atë shportën, por kur e shikon s’ka asnjë gjë brenda. Ai thotë ti je në rregull, as nuk jemi ofenduar asnjë gjë, nuk jam njeri të merrem me këto punë. Por nuk u dashka kështu, duhet ndryshe ndoshta, nuk e di si të them.

Mirela Milori: Çfarë zgjidhje jep ai?

Përparim Salihaj: Do ta rregullojmë thotë, mos u mërzit!

Mirela Milori: Kërkon akoma kohë?

Përparim Salihaj: Po kohë por tani më kohë, ja ra tërmeti tani, po sikur të ndodhë ndonjë gjë, si do ta bëjmë ne, si do t’i kërkojmë ne?/tvklan.al