Dritan Malaj tregon, se në Prill të vitit 2019, ka firmosur një kontratë me një kompani punësimi për në Gjermani, që quhet Meto&Genta. Sipas kësaj kontrate, detyrat e tij ishin të plotësonte dokumentacionin dhe të bënte një kurs për gjuhën gjermane. Detyrat e kompanisë ishin, që t’i ofronte punësim dhe integrim në shtetin gjerman.

“Me datën 1.04.2019 kam lidhur një kontratë shërbimi me kompaninë Meto&Genta, e cila është një kompani punësimi në shtetin gjerman. Detyrat e mia ishin që të plotësoja të gjithë dokumentacioni  përkatës që kërkonte kjo kompani si dhe të bëja një kurs gjuhe. Pasi plotësuam të gjitha procedurat bëmë edhe një kurs gjuhe gjermanishte që zgjati 2 muaj”.

Por i gjithë problemi është, se në kontratë nuk përcaktohej afati. Dritani bëri kursin për gjuhën gjermane, për të cilin nuk mori as certifikatë edhe pse pagoi 300 euro për të. Ndërkohë duhej të paguante dhe 600 euro të tjera, pra në total 900 euro.

Kaloi një vit dhe duke parë që po mashtrohej, Dritani vendosi të bënte një kërkesë me email për kthimin e dokumentacionit dhe pagesës.

“Unë kam kryer një pagesë 900 euro. 600 euro i kam kryer për këtë lloj shërbimi dhe 300 euro për kursin e mësimit të gjuhës gjermane. Ka qenë e çuditshme se pasi mbaruam kursin na kanë thënë ‘shpejt, nxitohuni sepse do ikni në muajin Qershor do largoheni nga Shqipëria të gjithë siç jeni’. Në fakt ishte zhgënjyese. Deri tani asnjë gjë nuk është bërë. Vetëm gënjeshtra në telefon. Kjo ka vazhduar deri në Dhjetor. Pastaj i kam çuar me email një kërkesë për tërheqjen e dokumentacionit sepse nuk shihja ndonjë hapësirë për të vajtur në shtetin përkatës. Më është kthyer përgjigje që do të mbahej procedura 4-6 javë dhe ty do të kthehej dosja bashkë me pagesat e prapambetura që kam”.

Ndërkohë në takime me administratoren, iu tha se do t’i merrte për dy javë, por asgjë nuk iu kthye.

“Më ka thënë që do t’i jap sot, do t’i jap nesër, por nuk e kam marrë pagesën. Para dy javësh më tha që  për një javë unë do të të shlyej ty detyrimet. Pas kësaj jave, i bie telefonit dhe nuk ma ka hapur. Pastaj nuk kisha rrugë tjetër dhe iu drejtova “Stopit”. Nuk kam marrë asnjë lloj shërbimi”.

Gjatë bisedës, administratorja i thotë denoncuesit që ka dashur ta zgjidhë çështjen personalisht në mënyrë shoqërore, ndryshe nga rregullat e kontratës.

Administratorja: Përshëndetje Dritan! Genta jam!

Denoncuesi:Genta! Jeni gjë në zyrë, se unë jam këtu afër?

Administratorja: Jo, jo nuk jam në zyrë.

Denoncuesi: Po kur do vini?

Administratorja: Nuk vij sot. Po më thuaj çfarë kishe, se normalisht i kemi ezauruar bisedat. Edhe ti, ca ke pas për të ezauruar, i ke ezauruar.

Denoncuesi: Ramë dakord bashkë, për të kthyer cikë shumën, të lutem!

Administratorja: Ke dërguar një email, ma ke çu dhe në WhatsApp. Tani, ti ke mënyrën tënde, unë kam mënyrën time. Vazhdo sipas mënyrës tënde!

Denoncuesi: Unë dua të më kthehet shuma e lartpërmendur.

Administratorja: Atëherë Dritan, ke bërë një email, kjo është përgjigja jote.

Denoncuesi: Kemi rënë dakord në zyrë, kemi folur.

Administratorja: Mbas asaj, që diskutuar bashkë, ti bëre një email tjetër.

Denoncuesi: Më the të hënën do të kthej shumën.

Administratorja: O Dritan, ke bërë një kërkesë. Unë me ty nuk kam, ça zgjas. Unë me ty kam bërë dhe një takim. Unë nuk të them ty të kthej shumën, se në fund të fundit ti je si gjithë aplikantët e tjerë, të kam dhënë një afat, po të thashë do përpiqem ta zgjidh vetë si individ.

Denoncuesi: Çfarë të thashë, kur të erdha? Ke një datë, s’ke një datë? Pse më sorollat tashi?

Administratorja: Atëherë, Dritan! Ti ke zgjedh një formë tjetër Dritan, unë ta thashë në mënyrë shoqërore dhe të thashë do përpiqem të mbyll…

Denoncuesi: Po ka 6 muaj kjo shoqërorja, që kur kam bërë kërkesën. Pse më sorollat?

Administratorja: 6 muaj, po prit dhe ti me shokët Dritan! Kalofsh mirë!

Administratorja e kompanisë i thotë gazetares së emisionit “Stop”, se kontrata është pa afat, ndaj qytetari nuk ka të drejtë të kërkojë pagesën. Ajo pretendon, se duhet të investigojë tregun gjerman dhe kjo mund të zgjasë edhe 5 vjet.

Gazetarja: Ju keni bërë një kontratë me zotërinë, ku keni përcaktuar detyrat e tij, detyrat tuaja, të cilat brenda një viti, nuk u përmbushën. Në momentin, që zotëria ka bërë një email, një kërkesë për tërheqje dokumentacioni, tërheqje pagese, pse nuk i është kthyer pagesa dhe dokumentacioni?

Administratorja: Normalisht, duke patur parasysh dhe situatën, sepse kontrata e parë, që është aty, nuk ka fare afat.

Gazetarja: Sa zgjat afati për kthimin e pagesës?

Administratorja: Për pagesën, ne kemi bërë një email, domethënë morëm një vendim, që kemi caktuar fundit e vitit, domethënë, që është limiti i investigimit.

Gazetarja: Unë e pashë pak emailin, që ju i keni dërguar zotërisë dhe thuhej deri në Dhjetor të 2020-ës. Pse nuk mund t’i kthehet pagesa tani, në momentin që nuk ka më një kontratë me ju?

Administratorja: Në rastin konkret, nuk mund ta tërheq, përderisa është edhe kjo situatë e krijuar.

Gazetarja: Nuk është se zotëria po kërkon më të shkojë në Gjermani, është thjesht kthimi i pagesës.

Administratorja: Po ta shohësh atë si thelb, si kontekst, po ta lexosh atë, në momentin, që ai tërhiqet, automatikisht unë nuk i kthej asnjë lloj shume mbrapsht.

Gazetarja: Në momentin, që ti nuk i lë afat kohor, unë nuk do të pres ty 10 vjet, sa të më gjesh punën, do shkoj ta kërkoj vetë. Po atë pagesë, që kam bërë, që s’kam marrë asnjë produkt në fund, i bie do ta marr mbrapsht.

Administratorja: Pikërisht! Atëherë edhe unë i kam bërë një njoftim zyrtar, sepse ai s’kishte, pse e firmoste fare në fillim. I kam dhënë një hark kohor.

Gazetarja: Po pse ia keni dhënë tani, që ai po tërhiqet dhe nuk ia keni dhënë në fillim, që për 15 muaj?

Administratorja: Ky ishte një proces, që në Mars qëlloi pjesa e pandemisë dhe u mbyllën të gjitha. Që do të thotë, që nga momenti, që këtu janë firmosur kontratat, të paktën një vit investigim njeriu e do, sepse ai 3 muaj ka bërë kurs.

Gazetarja: Po kaloi një vit në Mars.

Administratorja: Po kaloi një vit pra, po unë akoma i kam dosjet të paftilluara, akoma nuk kanë dalë punëdhënësit. Ai thotë mua, më duhet ky vend. Ky rast i lirë më duhet për 3 muaj. Ose shef datën, se kur janë terminat.

Gazetarja: Domethënë, ju nuk keni vende të sigurta pune, që mund t’i çoni në moment.

Administratorja: Jo, ne vendet e punës të sigurta i kemi, po problemi ka qenë avancimi i terminave, me të thënë të drejtën. Jam konfuze.

Përsa i përket pagesës së kursit, ajo thotë se në çdo vend mund të bësh kurs, të paguash dhe nuk merr certifikatë. Ndërkohë zonja pranon, se certifikatën nuk e njeh as ambasada gjermane.

Gazetarja: Çfarë pagese ka paguar zotëria?

Administratorja: Zotëria ka paguar 500 euro dhe TVSH.

Gazetarja: 600 EURO dhe 300 Euro kursin, apo jo?

Administratorja: Po kursi është kurs, për kursin ka marrë shërbimin.

Gazetarja: Për të cilin nuk ka marrë një certifikatë.

Administratorja: Po certifikatën domethënë, nuk … Shiko, kursi po ta kapësh hollë-hollë, secili mund ta bëjë kursin diku dhe pa certifikatë.

Gazetarja: Jo! Diku e bën kursin dhe merr një certifikatë, nëse paguan 300 euro.

Administratorja: Më fal! Është kurs intensiv nga A1 deri në B1. Ndërsa emrat e këtyre, ne i kemi dërguar. Ka qenë pandemia dhe nuk i kemi tërhequr. Unë thjesht e pajis me këtë, për aq sa unë e kam hapësirën e licencës. Por kjo nuk është e vlefshme.

Gazetarja: Pra, kjo vlen vetëm për kompaninë tuaj dhe jo për vend tjetër?

Administratorja: Ajo për shembull, në Gjermani njihet, por që duhet të përkthehet, të noterizohet, po nuk e njeh ambasada. Ambasada kërkon nivel tjetër gjuhe, kërkon tjetër certifikim.

Gazetarja: Edhe kjo s’pi ujë?

Administratorja: Nuk është puna pinë ujë, sepse normalisht kjo këtu është certifikatë./tvklan.al