Fundjava që lamë pas, ishte tejet pozitive për disa nga legjionarët e Kombëtares shqiptare, të cilët shkëlqyen në klubet e tyre.

Mesfushori Adrion Pajaziti gjeti golin e parë me fanellën e skuadrës Gorica në Kroaci. Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Marash Kumbulla në La Ligën spanjolle. Espanyol fitoi minimalisht ndaj Getafes, falë golit të mbrojtësit shqiptar.

Armando Broja luajti ndeshjen e dytë radhazi si titullar tek Evertoni, ndërsa Mirlind Daku ishte protagonist në Rusi me fanellën e Rubin Kazan. Sulmuesi shqiptar asistoi në një gol, por pak minuta para fundit u ndëshkua me të kuq.

Titullarë këtë fundjavë ishin gjithashtu Rey Manaj, Myrto Uzuni, Qazim Laçi, Ylber Ramadani, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Elhan Kastrati dhe Enea Mihaj, me këtë të fundit që mbajti edhe shiritin e kapitenit në radhët e Famalicaos.

Medon Berisha dhe Jasir Asani e nisën ndeshjen nga stoli, por dhanë gjithashtu kontributin e tyre për Leccen dhe Gwangju.

/tvklan.al