Partia Demokratike ka vijuar me akuzat ndaj Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, sa i përket pajisjes së pëgjimit, që sipas selisë blu, është përdorur nga Ministri për të kryer përgjime të paligjshme, në dijeni të Kryeministrit Rama.

Në një dalje për mediat, Nënkryetari Edi Paloka tha se u bë një muaj nga ky skandal dhe qytetarët kërkojnë të dinë të vërtetën, për atë që ai e quajti, një krim shtetëror.

Paloka i bëri thirrje Prokurorisë që të tregojë vendosmëri dhe të mos lejojë pengimin e hetimit për të zbardhur të vërtetën.

Deklarata e plotë:

Përgjimi i paligjshëm i kryer nga Saimir Tahiri, me dijeninë e Edi Ramës është një krim i rëndë shtetëror pesha e të cilit rritet, sa më shumë vonon zbardhja e tij, sa më shumë vonon hetimi i plotë e vendosja e përgjegjësve para ligjit.

U bënë një muaj që skandali është bërë publik, që qyetarët e vendit, opinioni publik kanë mësuar se paisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme, është përdorur në mënyrë të paligjshme, pa dijeninë dhe pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kjo shkelje brutale e ligjit dhe e kushtetutës është pranuar, mohuar e sërish pranuar nga Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, të cilët janë kapur në deklarime kontradiktore, gjë që dëshmon tensionin që ekziston mes tyre në lidhje me këtë skandal.

Një herë Tahiri lë në baltë vartësit e tij, duke thënë se nuk është ai përgjegjësi.

Pastaj vartësit e tij kërcënojnë se do të flasin, do të tregojnë, duke kërkuar mbrojtje e paprekshmëri, pasi prokuroria ka nisur hetimin, ndjekjen penale.

Po lojërat, thikat pas shpine dhe kulisat mes Tahirit dhe drejtuesve të Policisë nuk i interesojnë shumë opinionit publik.

Vendit dhe qytetarëve sot u intereson e vërteta rreth këtij krimi shtetëror.

Të dalin para ligjit porositësit, kush e solli, kush e përdori, kë përgjuan, pse përgjuan, pse e mbajtën të fshehtë.

Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të tregojë vendosmëri e të mos lejojë pengimin e hetimit.

Një hetim i plotë, i gjithanshëm, që nxjerr çdo përgjegjësi para ligjit, është domosdoshmëri për vendin, për të vendosur drejtësi e për të bërë që krime të tilla shtetërore të mos ndodhin më. /

tvklan.al