Është thjesht e mrekullueshme”.

Kjo është dëshmia e parë e pacientes 52-vjeçare me goditje në tru, Lisa Vincent, e cila është një nga të parat që testoi një pajisje të re rehabilitimi që mund ta ndihmojë atë të rifitojë aftësitë që humbi.

Vincent ka punuar me studiues për rreth dy muaj, duke përfunduar tetë seanca me pajisjen, pasi pësoi një goditje katër vjet më parë që e bëri krahun e saj të majtë të palëvizshëm. Ajo rrëfen për agjencinë e lajmeve Reuters se në fillime ishte skeptike se pajisja do të funksiononte.

“Mendova, nuk do të funksionojë për mua. Në fillim mendova, pse unë? Pse më zgjodhën, unë jam thjesht një pacient me goditje në tru? Kështu u ndjeva. Por atëherë kur fillova të lëvizja, ishte dita më e bukur në jetën time. Dita më e mirë”.

Krijuar nga studiuesit Patrick Sagastegui dhe Jumpei Kashiwakura, kjo pajisje synon të përmirësojë jetën e personave që kanë probleme të ngjashme me 52-vjeçaren. Pacientët mund ta përdorin këtë aparaturë pa probleme kudo. Për Lisa Vincent, pajisja ka ndihmuar në elasticitetin e krahut të saj të majtë, i cili ishte plotësisht i ngurtë, por tani është në gjendje të përkulet dhe të këtë me shumë më tepër kontroll sesa mendonte më parë. Madje tani mund të mbajë në krah edhe mbesën e saj të vogël.

“Mbesa ime është tetë muajshe dhe falë kësaj pajisje munda ta mbaja atë në krah, sepse më herët nuk mundja dot. Dhe tre javë më parë, vajza ime e vuri në prehër dhe unë e mbajta me këtë krah sepse e ndjeva kontrollin e kyçit të dorës dhe isha mjaftueshëm e sigurt. Qava gjithë natën. Ishte e mrekullueshme që unë mund ta bëja. Dhe ky ishte një kujtim që do ta mbaj gjatë me vete falë jush djema. Sinqerisht, nuk mund t’ju falenderoj sa duhet.”

Projekti është financuar nga një nga universitet lider në botë për shkencën, teknologjinë, inxhinierinë, mjekësinë dhe biznesin “Imperial College London”. Faza pilot e provës përfshin rekrutimin e pacientëve me probleme të tilla në Chiswick, në perëndim të Londrës. Studiuesit kanë punuar saktësisht me katër pacientë ku secili prej tyre ka aftësi të kufizuara ne lëvizje.

“Epo, ishte një ngjarje e madhe sepse kur e takova herën e parë, mbaj mend që ne u përpoqëm me dorë t’i lëviznim parakrahun dhe fillimisht nuk po lëvizte. Dhe më pas ajo filloi të kishte pak dhimbje. Për të qenë plotësisht i sinqertë me ju, mendova se do të funksiononte. Është tjetër gjë ana teorike dhe komplet tjetër gjë ajo praktike. Por ne u përpoqëm dhe Jumpei më tregoi videot dhe më pas e pash vetë me sytë e mi po e lëvizte krahun e saj dhe arriti të kryente një sërë lëvizjesh… U ndjeva shumë i lumtur sepse ajo nuk mendonte se do ta ishte në gjendje ta lëvizte sërish krahun e saj dhe ky ishte një ndryshim i madh. Fakti që unë isha aty dhe e ndihmova ta arrinte atë moment është shumë e rëndësishme për ne”.

Shpikësit e kësaj pajisje rrëfejnë se si funksionon ajo.

“Lidhja midis komandës motorike nga truri dhe reagimit ndijor nga gjymtyrët është vërtet e rëndësishme. Ky lloj bashkimi i ngushtë do të nxisë neuroplasticitetin, që është riorganizimi i trurit dhe do t’i hapë rruge rikuperimit të krahut.”

Një tjetër pacient i përfshirë në provat pilot është 62-vjeçari Faisal Hussain, i cili pësoi një hemorragji të rëndë në tru, duke e lënë atë fillimisht plotësisht të paralizuar dhe në spital për gjashtë muaj. Gruaja Sophia e cila ishte ulur pranë tij përshkruan momentet e funksionimit të kësaj pajisje.

“Studiuesit thonë se truri ka harruar se ka krahun e djathtë. Pra, është thjesht atje duke mos bërë asgjë. Dhe pastaj kur unë mund të shoh se ai ka ndjerë diçka dhe truri ka kujtuar dhe në fakt krahu ka lëvizur. Kjo është mjaft e mahnitshme.”

Megjithatë, Sophia pranon se rruga drejt shërimit të plotë do të jetë shumë e ngadaltë.

“Para se të pësonte goditje në tru, fëmijët e mi e konsideronin atë si Superman. Ai ishte i tillë, ai flinte pak, hante pak dhe ishte shumë aktiv. Kështu që pas goditjes në tru, ishte një shok i madh për mua dhe fëmijët sepse ai u paralizua plotësisht. Mjekët na thanë se ishte një hemorragji kaq e rëndë në tru, sa ai ishte me fat që mbijetoi. Ai u paralizua i gjithi. Qëndronte i shtrirë në krevat. Nuk mund të lëvizte dhe nuk mund të fliste fare. Ai harroi të përtypte dhe harroi të hante. I dhanë ushqim me tub dhe e mbajtën në spital për 6 muaj. Ishte shumë e vështirë për fëmijët të ndaheshin nga babai i tyre dhe ta shihnin atë, por po, mendoj se është e mahnitshme në krahasim me atë që ai ishte në fillim. Është thuajse e pamundur të harrojmë se si ishte më parë… është një udhëtim shumë i vështirë”.

Pas këtij testi fillestar pilot, ekipi i studiuesve  do të realizoje një provë të re në janar 2025 në spitalin Charing Cross në Londër me një grup më të madh prej 20 pacientësh, duke kryer një vlerësim  të plotë për të vërtetuar efektivitetin terapeutik të pajisjes në përmirësimin e lëvizjeve funksionale.

Hapi i tyre i ardhshëm është bashkëpunimi me klinikat private për të nxjerrë pajisjen në treg.

“Faza fillestare do të ishte bashkëpunimi me klinikat private. Pra, në mënyrë që të vërtetohet se sa mirë funksionon pajisja me pacientët dhe më pas të mësohet se si mjekët ta përdorin këtë pajisje për të qenë në gjendje t’i trajnojë pacientët që ata më pas ta venë në funksion në mjediset e shtëpisë. Pra, pacienti është në gjendje ta përdorë pajisjen në shtëpi dhe në mënyrë të pavarur dhe në çdo vend që ata duan”.

Ata gjithashtu do të nisin procesin rregullator për të siguruar që pajisja të përmbush standardet mjekësore dhe të punojë drejt certifikimit të saj.

Klan News