U gjetën pajisje kompjuterike dhe grirëse kanabisi

Kontrollet e policisë pas vrasjes së 27-vjeçarit Mehmet Qema në rrugën “5 maji” në Tiranë kanë çuar në pranga 2 persona të tjerë. Policia tha se në banesën e Kristjan Peçit, mik i viktimës janë gjetur disa pajisje kompjuterike dhe 2 grirëse që dyshohet se përdoreshin për kanabis sativa si dhe municione luftarake.

Fillimisht u dyshua se pajisjet kompjuterike ishin në funksion të prodhimit në mënyrë të paligjshme kriptomonedhën Bitcoin, por pas verifikimeve ka rezultuar se ato përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Për këtë ishte kryer edhe një lidhje e paligjshme energjie. Në pranga edhe një faturues i energjisë elektrike, 34-vjecari Evis Zeneli që akuzohet për shpërdorim detyre.

Kristjan Peçi u shoqërua nga policia një ditë pas vrasjes për shkak se ai ishte prezent në momentin e vrasjes, por më pas u la i lirë. Një ditë më parë gjykata la ne burg Marius Demën, 28-vjeçarin që shkrepi pistoletën duke i shkaktuar vdekjen mikut të tij Mehmet Qema, ndërkohë që ishte duke luajtur me armën.

Në sallën e gjyqit Dema deklaroi se viktimën e kishte si vëlla dhe se gjithçka ndodhi aksidentalisht. Gjykata liroi ndërkohë të rinjtë e tjerë që ndodheshin në tavolinë. Për Xhuljano Koçin dhe Frenkli Myftarin u la masa ‘arrest shtëpie’, ndërsa për Erlind Pekën, Blerim Hotin, Marjus Halilin dhe Eder Pjetrin u vendos “detyrim paraqitje”.

Tv Klan