Ora 12 e mesnatës do të shënojë edhe përfundimin e afatit që partitë politike të dorëzojnë në KQZ listat me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 Prillit.

Por çfarë po ndodh në selitë e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kur kanë mbetur dhe pak orë nga zyrtarizimi i listave.

Gazetarja e Tv Klan Elja Zotka raporton se në orën 19:30 do të mblidhet Kryesia e Partisë Socialiste. Diskutime ka për qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier lidhur me kandidatët që do të jenë dhe për renditjen e tyre.

Ajo që dihet deri tani është fakti se Edi Rama do të kandidojë në dy qarqe, Vlorë dhe Durrës.

Ndërkohë, në kampin opozitar do të ketë një mbledhje të Krysisë gjatë pasdites dhe në orën 20:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar që do të vendosë për listën përfundimtare të kandidatëve.

Gazetarja e Tv Klan Jolldiz Mitro thotë se Lulzim Basha u ka dhënë vende të sigurta kryetarëve të partive aleate. Dashamir Shehi i LZHK dhe Fatmir Mediu i PR do të jenë në lista të sigurta në Tiranë. Po kështu edhe PDIU-së i janë premtuar dy vende të sigurta në Tiranë.

Vangjel Dules së PBDNJ i është premtuar vend i sigurtë në Korçë. Po kështu një pozicion fitues është premtuar edhe për Agron Dukën e Partisë Agrare Ambientaliste, ndërsa për Nard Ndokën e PDK përflitet se është vendosur në vend të 8 në listën e Shkodrës.

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha do të kandidojë vetëm në Tiranë, së bashku me liderin historik të partisë, Sali Berishën. /tvklan.al