Pakënaqësia ndaj komunizmit, Fatos Nano: Çfarë i thashë Nexhmije Hoxhës pas vdekjes së Enverit



Pakënaqësia ndaj komunizmit, Fatos Nano: Çfarë i thashë Nexhmije Hoxhës pas vdekjes së Enverit

21:36 04/02/2021

Para rënies së regjimit komunist, Fatos Nano punonte në koperativën bujqësore në Surrel, në periferi të Tiranës. Mirëpo brenda tij ekzistonin pakënaqësi ndaj regjimit qeverisës.

Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Fatos Nano tregoi pakënaqësitë në një mbledhje kur ishte rikthyer edhe Nexhmije Hoxha, pas vdekjes së bashkëshortit Enver Hoxha.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Fatos Nano ka treguar se çfarë deklaroi në këtë mbledhje, ku iu drejtua pjesëmarrësve duke u thënë pakënaqësitë në zinxhirin drejtues të koperativës ku ai punonte.

Blendi Fevziu: Po e formuar kur erdhi pakënaqësia tek ju?

Fatos Nano: Kur fillova të kuptoj më shumë. Kur fillova të shikoj që pakënaqësia ime nuk ishte kaq e ngushtë. Kur shikoja që njerëzit mbanin radhën për qumësht në orën 02:00 të mëngjesit. Unë isha më i shkathëti aty se me ndihmonte biçikleta. Kur fillova të kuptoj që tolloni ishte i pamjaftueshëm dhe nuk ishte për të gjithë. Kur fillova të shoh padrejtësia majtas apo djathtas për njerëz të ndershëm  që shikonin punën e tyre. Dhe kur fillova të gërrmoj me mendjen time që kush i bën, pse i bën, dhe kam guxuar në vitin 1985 kur jam kthyer nga koperative bujqësore në Surrel, në Surrel ishte sektori i dytë i koperativës dhe unë isha hartuesi i normave të fshatarëve, iu numëroja ditët e punës dhe nxirrja pagën. Dy vjet të bukura, nja 200 metra nga ku e ka shtëpinë Rama tani. Mua më jepnin 40 ditë pune në muaj. Po dita e punës lëvizte nga 90 lekë të vjetra, në vitin më të mirë ajo koperative kishte shkuar në 120-125. I bie maksimumi 4 mijë lekë të vjetra në muaj. Me ato mund të ushqeheshe, por pastaj duhej të filloje të shikoje kalendarin se për sa kohë mund të bleje një veshje, një palë këpucë. Mbledhja e parë e organizatës në të cilën rikthehet Nexhmije Hoxha pas vdekjes së të shoqit, pas zisë. Dhe aty vendosa të them ca gjëra. Sapo kishte dalë një fjalim i Ramiz Alisë në një nga pleniumet ku ai filloi të ngacmojë idenë e ndryshimet dhe organizatat diskutonin mbi fjalimet e udhëheqjes. Dhe unë në thelb them: “Shokë dhe shoqe, shoqja Nexhmije, unë vij nga koperativa, nga baza, ku konstatova që ka një rrjet lidhjesh, interesash të fortë midis kuadrove të nivelit të mesëm dhe të lartë, duke filluar nga kryetar koperative, drejtor ndërmarrjesh, komiteti i partisë deri nëpër Ministrira, i cili nuk lë asnjë direktivë të shkojë sagllam poshtë dhe nuk le asnjë problem që ka që të vijë lart”. Ishte e gjitha klanore, ishte korruptive. Dhe ishte realisht kështu siç e lexova unë. Dhe ishte shumë e vështirë të depërtoje mbi të sepse këta kishin në dorë dhe rrogën tënde, dhe gradimin tënd, kishin në dorë të të zhvendosnin nga këtu atje, të merrnin në qafë. Siç morën në qafë motrën time, e cila ra në dashuri dhe u martua me një djalë i cili vinte nga një familje të persekutuarish dhe sapo mbaroi shkollën e marrin dhe e çojnë në Laç. Ajo ishte nga nxënëset më të mira të fizikës bërthamore dhe e çuan në gjimnazin e Laçit ku ka ndejtur 15 vjet të tëra si mësuese fizike. Të gjitha këto krijonin një arsyetim që këtu diçka nuk shkon. Këtu nuk njihet merita. Babai mund të mbërrinte deri tek veprimi apo karakteri i mbrapsht i dikujt në udhëheqje, por jo tek vija ideologjike.

Blendi Fevziu: Besonte realisht tek vija?

Fatos Nano: Po besonte. Sepse doli malit për çlirim dhe pastaj u rrit me të. /tvklan.al







Të ngjashme