Ndërrimi i shpeshtë i formacionit dhe rreshtimit të lojtarëve në fushë ka sjellë vështirësi për futbollistët e kombëtares. Sabien Lilaj shprehet qartë për vështirësitë e hasura mes lojtarëve të përfaqësueses.

“Ka pasur shumë lëvizje lojtarësh. Nuk kemi qenë grup. Në këtë aspekt duhet të punojmë. Nuk ka kualitet të madh në ekipin tonë. Duhet të punojmë në grup. Është e vështirë kur ndërrohen lojtarët. Nuk merresh vesh me shokun e skuadrës. Zgjidhjet i bën trajneri. Ne i respektojmë vendimet. Shpresoj që së shpejti të kemi një formacion stabël dhe një grup më të fortë”.

Për ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, sipas lojtarëve, Panucci është përqëndruar më shumë tek analizmi i gabimeve.

“Trajneri na ka sqaruar gjithçka rreth ndeshjes së kaluar. Na ka venë në dukje mangësitë. Kemi pasur shumë raste. Vetëm fati nuk ka qenë me ne. Gjërat e tjera kanë qenë të gjitha në rregull. Ndeshjen e parë luajtëm 3-5-2, nuk është shumë mbrojtëse. Gjithë vija është e atij futbollisti. Futbolli modern e kërkon që ti kesh të dyja, mbrojtjen dhe sulmi”

, thotë Enis Gavazaj.

Kombëtarja përfundon këtë të enjtë stërvitjen në Durrës për t’ju drejtuar Shkodrës ku në pasditen e së premtes do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në fushën e “Loro Boriçit”, aty ku do të luhet edhe ndeshja ndaj Skocisë.

Tv Klan