Shtohet edhe numri i personave të shëruar nga koronavirusi

Instituti i Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut sot e publikoi raportin javor për periudhën prej 20 deri më 26 Korrik në të cilin është evidentuar zvogëlim i numrit të të infektuarve të ri dhe personave të vdekur nga COVID-19, ndërkaq është rritur numri i të shëruarve në krahasim me periudhën paraprake.

Nga 20 deri më 26 Korrik janë bërë 9.563 testime (1.402 më shumë se sa në periudhën prej 13 deri më 19 Korrik) dhe janë regjistruar 956 raste pozitive me COVID-19, që është për 82 raste më pak se sa në javën paraprake. Në periudhën e raportimit 10% e të testuarve kanë rezultuar pozitiv.

Në lidhje me strukturën e moshës së të infektuarve të rinj, përqindja më e madhe është e personave prej 50 deri në 59 vjeç (22,3%), ndërkaq numri më i madh i të infektuarve të rinj është edhe te personat në moshë 40 – 49-vjeç dhe mbi 60-vjeç 19,6%.

Në periudhën prej 20 deri më 26 Korrik janë regjistruar 654 persona të shëruar, të cilët kanë qenë të hospitalizuar ose në mjekim shtëpiak, që është për 109 persona ose 20% më shumë se sa javën e kaluar.

Në periudhën prej 20 deri më 26 Korrik, janë regjistruar 32 raste të vdekjes, që është për 12 raste më pak se sa në periudhën e kaluar. Pjesa më e madhe e personave të vdekur janë mbi 60-vjeç (84,4%).  Njëzet e nëntë prej rasteve të vdekjes janë në kushte spitalore, ndërkaq 3 jashtë spitalit. Te 26 raste të vdekjes (81,3%) janë regjistruar me komorbitete paraprake, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas këtij raporti deri më 26 Korrik, shkalla më e lartë e të infektuarve shënohet në Shtip, më pas në Sveti Nikollë dhe Resnjë, derisa vdekshmëria më e madhe është regjistruar në Strugë, Tetovë dhe Kumanovë.

Klan Macedonia