“Të pezullohen prokurorët e gjykatësit që kanë lidhje me KÇK”

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën speciale ligjore anti-KÇK, që do të luftojë prokurorët apo gjyqtarët që kanë lidhje me kriminelë dhe që nuk kanë dalë ende përpara Vettingut.

Rama solli në vëmendje rastin e atentatit që ndodhi ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, i cili ishte në makinë me Pëllumb Muharremin, një person me precedent penal. Për këtë ngjarje, Kryeministri konfirmoi se në bagazhin e makinës së prokurorit u gjetën dosjet hetimore të vjedhura në Prokurorinë e Durrësit për çështjen e tokave.

“Janë një kancer në sistem që me fillimin e Vettingut dhe me rezultatet e para të Vettingut ka hyrë në fazën e vetë më agresive. Janë njerëz që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans ta kalojnë Vettingun. Sot ata nuk e kanë më jetën përpara, në kuptimin e karrierës. Prandaj motoja e tyre është Kap Ç’a të Kapësh, KÇK. Rasti i Durrësit është rast flagrant. Në makinë u gjendën prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar, dhe në bagazhin e makinës dokumentet e vjedhura të Prokurorisë. Tani çfarë duhet të bëjmë ne në këto kushte, duhet të rrimë të presim Vettingun? Ç’a duhet të bëjmë ne kur një kriminel shkon merr peng Hipotekën e Vlorës”?

Dekriminalizimi apo pastërtia e figurës për politikanët apo të zgjedhurit në administratë, Edi Rama propozon që të aplikohet edhe për personat e inkriminuar, që të verifikojnë pasurinë e tyre. Por, sqaron se ky do të jetë një proces administrativ dhe jo penal, edhe pse do të funksionojë sipas parimit të ligjit Anti-Mafia.

“Jemi në një vend ku të gjithë ne që jemi këtu, keni plotësuar një formular, ju është kërkuar të vërtetën që kur keni dalë nga barku i nënës. Është një ligj unikal, nuk e ka asnjë vend i botës. Ligji i pastërtisë së figurës. Dhe kjo bëhet për të gjithë ata që duan të zgjidhen. Po këta? Si i bëhet me këta? A nuk ka ardhur koha që këtyre njerëzve që janë dënuar për krime të rënda, që janë akuzuar për krime të rënda dhe nuk janë dënuar, t’ju kërkohet të deklarojnë pasurinë. T’ju kërkohet të provojnë që ato që kanë i kanë si rezultat i punës. Pse kjo u bëka për të gjithë ata që duan të zgjidhen, për gjykatësit e për prokurorët, e nuk u bëka për këta? Kush janë këta? Sot kjo është urgjente. Ne duhet të ndërhyjmë me një ligj special kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe të gjithë normën e ligjit Anti-Mafia ta kalojmë në kurriz të subjekteve të këtij ligji, të tyre dhe familjarëve të tyre. Dhe duhet të provojë përpara gjykatës që shtëpinë, makinë, biznesin i ka si rezultat i punës. Ky nuk është një proces penal, është proces administrativ”.

Ndërsa lidhur me prokurorët dhe gjyqtarët që kanë kontakte me persona të botës së krimit, por që nuk kanë kaluar ende në filtrin e Vettingut, kreu i qeverisë theksoi se duhet bërë me ligj që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor t’i pezullojnë nga detyra këta zyrtarë. Në të kundërt, u shpreh Rama, në Shqipëri “do të bëhet nami me paligjshmëri”.

“KÇK i duhet vënë një kufi shumë i qartë. Jemi në kushtet kur një anëtar i KÇK shkel ligjin, askush nuk vepron. Duhet sqaruar ligjërisht që KLP dhe KLGJ të marrin masë për pezullimin dhe inspektimin lidhur me anëtarët përkatës të kësaj organizate kriminale. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, do bëhet nami në Shqipëri, do kemi çdo javë shfaqje tërbimi të shkeljes së ligjit”.

Kryeministri foli edhe për Task-Forcën “Forca e Ligjit”, për të cilën tha se do të shndërrohet në një forcë speciale në përbërje të Policisë së Shtetit.

Në përfundim të prezantimit, Kryeministri Edi Rama u kërkoi deputetëve të tij që të votojnë të gjithë në Parlament këtë paketë ligjore, në të kundërt do të përjashtohen nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. /tvklan.al