Këtë të mërkurë pritet në Kuvend votimi i projektligjit të njohur si paketa anti-shpifje. Ky projektligj ka hasur në kundërshtimet e përfaqësuesve të shoqatave të medias.

Prandaj, gazetarë dhe aktivistë të lirisë së shprehjes, ashtu siç kishin paralajmëruar, janë mbledhur përpara Kuvendit për të protestuar. Sipas tyre, veprimi i qeverisë është një akt kundër fjalës së lirë. Ata thonë se mediat elektronike duhet të funksionojnë mbi parimin e vetërregullimit.

Por gjatë një reagimi në rrjetet sociale mbrëmjen e së martës, kryeministri Edi Rama theksoi se projekt-ligji ka për të hyrë për miratim dhe është bërë pas një pune të përbashkët me OSBE-në.

Pakleta anti-shpifje u miratua nga Komisioni i Medias mesnatën e së hënës. Ajo është kundërshtuar dhe nga Dunja Mijatoviç, Komisionerja e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut.

Në rrjetet sociale ajo shkruan se këto ligje kërkojnë përmirësime në mënyrë urgjente pasi disa nene të tyre nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane për të drejtat e njeriut  që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe medias./tvklan.al