Mazhoranca nuk merr parasysh vërejtjet e Metës

Edhe dekreti i Presidentit për mediat audiovizive pati të njëjtin fat si ai për komunikimet elektronike, pjesë e paketës antishpifje.

Përfaqësuesit ligjor të institucionit të Presidencës argumentuan se ligji sjell autoritarizëm, bie ndesh me dispozitat kushtetuese, cënon lirinë e shprehjes dhe të shtypit si dhe vendos masa ndëshkuese e jo proporcionale. Për këto arsye ata kërkuan nga Kuvendi që të rihapë procesin e konsultimit publik deri në mbërritjen e opinionit të Venecias.

“Këshilli i Europës e ka çuar në Venecia për opinion, të pranoni dekretin dhe të nisë diskutimi publik”, thotë këshilltari ligjor i Presidencës.

Për mazhorancën një kërkesë e tillë mund të sillte një precedent antikushtetues. Por përfaqësuesi i Presidentit i kujtoi një rast të ngjashëm të ndjekur prej saj me ligjin e pronave.

“Po afati ditor që ne kemi në Kushtetutë, ça ti bëjmë të dalim jashtë tij e pastaj të krijojmë precedentin. Të krijojmë vakum juridik që asnjë ligj mos miratohet”, shprehet Ilir Beqja.

“Të pritet ai draft e të bëhet si ai për pronat”, u kundëpërgjigj këshilltari ligjor i Presidencës.

Por ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e thirrur në Komisionin e Medias, tha se çdo opinion i Venecias do të reflektohet në ligj, që sipas saj ka për qëllim rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e fjalës së lirë.

“Nuk është hera e parë që KiE i kërkon mendim Venecias është një praktikë e zakonshme. Në momentin që Venecia na sjell rekomandimin duhet ta përfshijmë”, deklaroi ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Komisioni i Venecias pritet të japë opinionin e tij për paketën antishpifje në muajin Mars, pas dërgimit të kërkesës në këtë organizëm nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Tv Klan