Paketa antishpifje, Meta: Përgjigja do të vijë në kohën e duhur



Paketa antishpifje, Meta: Përgjigja do të vijë në kohën e duhur

11:25 20/12/2019

Fillimisht do ta shohë me vëmendje, e pastaj do të dalë në një vendim zyrtar. Kështu u shpreh këtë të premte Presidenti Ilir Meta në lidhje me paketën antishpifje që u miratua nga Kuvendi dy ditë më parë. Presidenti tha se do të shohë relacionet përkatëse dhe përgjigja do të jetë e argumentuar, në momentin e duhur.

“Së pari duhet ta shoh me vëmendje sepse është folur vazhdimisht për ndryshime të ndryshme dhe të minutave të fundit kështu që do ta shikojmë të zbardhur të gjitha aktet që janë miratuar, relacionet përkatëse dhe kuptohet që përgjigja do të jetë në kohën e duhur, e argumentuar besoj dhe do të jetë transparente si gjithmonë”, tha kreu i shtetit.

Meta bëri thirrje që politika shqiptare të reflektojë përpara asaj që e quan shpopullim.

“Shqetësimi i më i madh i theksuar edhe sot është një tërmet i përditshëm që lidhet me hemorragjinë e vendit me atë që unë e quaj pa tepruar, shpopullim. Ka qenë tronditëse për mua që të shikoj statistikat zyrtare të muajit Nëntor që tregonin qartë një rritje mjaft shqetësuese në gati 16% nga Janari deri në Tetor 2019. Jo vetëm kaq, por kjo rritje në 1 mijë banorë është tmerrësisht shumë herë më e lartë se sa Serbia apo Mali i Zi. Të gjitha këto duhet të na bëjnë që të reflektojmë sa më shpejt sepse kjo humbje besimi është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e këtij konflikti skizofrenik, artificial, i cili nuk duhet të jetë më mënyrë qeverisje e një politike pa shqiptarë”, tha Meta.

Kreu i shtetit ishte i pranishëm në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit, temë e së cilës ishte “Liria pa urrejtje, liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut”.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Meta tha se liria e shprehjes dhe kushtet e punës së gazetarëve në vendin tonë janë përkeqësuar.

“Angazhimi i shtetit dhe shoqërisë në përkrahjen e lirisë e shprehjes është tregues i demokracisë, atë të qeverisjes mirë dhe përgjegjësisë publike në vend. Demokracia përparon bazuar në lirinë e shprehjes. Media si zëdhënës publik e bën pushtetin shtetëror më të prekshëm për njerëzit, por edhe më të kontrollueshëm dhe më transparent në interesin e tyre. Nëpërmjet tyre institucionet bëhen më të hapura, llogaridhënëse dhe transparente.

Fatkeqësisht liria e shprehjes në vendin tonë është përkeqësuar. Mjedisi dhe kushtet e punës dhe gazetarëve gjithashtu. Pas shumë vitesh gazetarët u janë rikthyer protestave për lirinë e shprehjes. Numri i reporterëve që janë detyruar të largohen është rritur. shqetësimet e gazetarëve të terrenit nuk dëgjohen. Disa pronarë e drejtues mediash në shkëmbim të përfitimeve e kanë asgjesuar postin e kryeredaktorit të lajmeve se e bëjnë vetë”, tha Meta./tvklan.al







Të ngjashme