Priten takime me maxhorancën, presidentin dhe opozitën

Pas dërgimit për opinion të paketës antishpifje nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në Komisionin e Venecias , një delegacion i këtij organizmi pritet të takohet të hënën e të martën me përfaqësues të maxhorancës e opozitës, Kreun e shtetit si dhe AMA-n.

Axhenda e takimeve do të nisë me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, për tu pasuar me krerët e grupeve parlamentare, ndërsa pasdite me përfaqësues të Autoritetit të Medias Audiovizive.

Socialistët do të duhet të japin argumentet e tyre pro paketës antishpifje, ndonëse në seancën plenare të 30 Janarit maxhoranca vendosi të shtyjë shqyrtimin e dekretit të Presidentit Meta për mediat audiovizive, pjesë e paketës antishpifje. Takime janë parashikuar edhe me anëtarët e Komisionit të Medias dhe atë të ligjeve.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, ekspertët e Venecias do të takohen edhe me Presidentin Ilir Meta,  për të dëgjuar argumentet e kreut të shtetit, i cili i ka kthyer për rishqyrtim në parlament të dy ligjet e paketës antishpifje.

Kjo paketë është kundërshtuar jo vetëm nga Presidenti, por edhe nga shoqatat e gazetarëve si dhe nga organizma ndërkombëtarë me argumentin se ligji për mediat audiovizive i jep AMA-s të drejtën për t’u shndërruar në një organ censurues, cënon lirinë e shprehjes dhe të shtypit, vendos masa ndëshkuese joproporcianale deri në 1 milion lekë dhe i heq Gjykatës të drejtën e gjykimit duke ia dhënë atë një enti administrativ, siç është AMA.

Raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias për paketën antishpifje pritet të jepet në seancën e 20 Marsit së bashku me atë për Gjykatën Kushtetuese.

Sakaq për çështjen e kushtetueses, në Tiranë pritet të mbërrijë në datat 13 dhe 14 Shkurt një tjetër delegacion i Komisionit të Venecias, ku pas maxhorancës këtij organizmi iu drejtua edhe Presidenti Ilir Meta.

Tv Klan