Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një takim me fermerët e Cërrikut, nga ku ka ndarë disa risi të cilat qeveria aktuale po planifikon të realizojë.
“Paketa e Maleve”, është një nga planet e socialistëve, e cila mendohet t’u vijë në mbështetje të gjithë shtetasve, të cilët zotërojnë toka në terrenet malore, por që nuk zotërojnë dokument zyrtar të pronësisë së tyre, e që krijon konflikte për ndarjen e kufijve me fqinjët e tyre. Rama sqaroi se kjo paketë do mundësojë që shtetasit të investojnë në këto prona, e të zotërojnë më pas një dëshmi nga Këshilli Bashkiak. Këta pronarë do paguajnë vetëm 1 euro, e do hyjnë në marrëdhënie me shtetin për investimin e këtyre pronave. Pas investimit, toka/prona do regjistrohet zyrtarisht në emrin e tyre.
“Paketa e Maleve, ku ne kemi bërë hap të rëndësishëm sa i përket pronësisë. Duke u dhënë mundësinë të gjithë ata që kanë prona por s’kanë dokumente, e në ato territore nuk e kanë pranuar ligjin 701, e ndërkohë ligji i ri kërkon shumë për t’u zbatuar, se nënkupton që gjithë kufitarët duhet të pranojnë që kjo është prona jote , e ka nga ata kufitarë që nuk përgjigjen. Do japim mundësinë gjithë atyre që investojnë në këto toka, me një dëshmi nga Këshilli Bashkiak, të hyni në marrëdhënie me shtetin, ta paguajnë 1 euro vetëm, të bëjnë investimet e tyre, e në momentin që bëjnë investimin, ta regjistrojnë si tokën e tyre”, tha Rama.
E njëjta logjikë do funksionojë dhe me tokat e punuara të fermerëve, të cilët nuk zotërojnë dokumentet e pronësisë. Rama sqaroi se popunohet që të mundësohet lëshimi i dëshmisë së deklarimit nga Këshili Bashkiak që kjo tokë e punuar i përket këtij shtetasi, e nuk do krijohen konflikte me shtetas të tjerë për pronësinë, pasi gjithçka do jetë e deklaruar në shtet.
“Të njëjtën koncept tek toka e punuar. Ju keni certifikatën e përdorimit, e keni si fermerë por jo në hipotekë, ndërkohë toka juaj prodhon në mënyrë të vazhdueshme. Po punojmë që të njëjtën gjë të bëjmë për këtë pjesë, që Këshilli Bashkiak të japë dëshminë që kjo tokë po punohet, e që i përket filanit. Pra, nuk ka konflikte”, tha Rama.
/tvklan.al