Duke nisur nga 2018-a e deri në 3 vitet e ardhshme, kushdo që kërkon të hapë biznes në fushën e agroturizmit do të marrë një trajtim fiskal preferencial, ndryshe nga bizneset e tjera.

Qeveria ka finalizuar paketën mbështetëse për këtë sektor, ku ofron që çdo biznes i cili do të operojë në fushën e agroturizmit për një kohë 10 vjeçare do të përfitojnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për produktet që shet në masën 6%, njësoj si hotelet me 5 yje, përjashtim nga taksa e infrastrukturës dhe ulje të tatimit mbi fitimin në masën 5%, nga 15% që është sot.

Në draftin e nisur për miratim në qeveri, të iniciuar nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Turizmit, klasifikohen ato ferma të cilat ofrojnë veprimtari argëtuese, ose akomodim, ose ushqim dhe pije, ku të paktën 70% të asaj që ofrojnë për turistët të jetë prodhim i tyre.

Kjo paketë lehtësuese do të veprojë vetëm për 3 vjet, ata të cilët do të aplikojnë pas kësaj periudhe nuk do të mund të përfitojnë nga nisma.

Tv Klan