Zaev: Kriza do të zgjasë, bizneset të mbrojnë punëtorët

Largimi i të punësuarve nga firmat, një muaj pas ndalesës për largime, prej se pronarët kishin shfrytëzuar ndihmën disa mujore financiare për pagesën e rrogave, është dënuar nga Kryeministri Zoran Zaev, i cili ka theksuar se kjo është një ndër shqetësimet e para të kabinetit të ri qeveritar.

“Në mënyrë jo të natyrshme shifrat u rritën nga 12 deri 13 mijë në 23 mijë të papunë, diku sipas statistikave edhe në 30 mijë, por nuk janë 140 mijë. Për ne i rëndësishëm është çdo vend pune. Mesazhi i parë është që afaristët duhet ta dijnë se shteti vazhdon të ndihmojë, por nuk mund të pritet ndihmë dhe përkrahje të drejtpërdrejtë nëse nuk kujdesen për kapitalin e tyre më të çmuar e këto janë punëtorët”.

Për pakon e re të ndihmës shtetërore për ekonominë dhe sanimin e dëmeve si pasojë e krizës së koronavirusit, qeveria do të dakordohet me Sindikatat dhe Odat Ekonomie, kurse më pas pakoja do të prezantohet në Kuvend, për shkak se tashmë nuk janë në fuqi kushtet e jashtëzakonshme dhe dekretet qeveritare.

Në plan të parë do të jenë shkalla tatimore, shfuqizimi i pagesave parafiskale, zvogëlimi i ekonomisë gri dhe ndihmë për pensionistët, punëtorët e falimentuar dhe grupet tjera të ndjeshme.

“Të gjitha ndërmarrjet dhe të gjithë ata nga sektori privat që përballen me vështirësi financiare për shkak të krizës të marrin ndihmë të targetuar. Segmenti i dytë ku duhet të përkushtohemi është që të kemi një luftë koalicioni kundër korrupsionit me të gjitha palët e prekura të kyçur në këtë luftë, që të arrijmë një shoqëri të pastër, kurse ligjet të vlejnë për të gjithë”.

VMRO-DPMNE-ja opozitare duke adresuar kritika ndaj Kryeministrit Zaev kanë përsëritur se qytetarët janë të revoltuar për shkak të politikave të këqija.

“Ka 40 mijë të papunë, pa bukë që nuk dijnë se si të blejnë pajisje shkollore për fëmijët. Për këtë duhet përgjigje dhe zgjidhje nga Qeveria”.

Gjatë tre muajve shteti ka ndihmuar me mjete buxhetore me mijëra kompani private, në vlerë prej rreth 90 milionë Euro, kryesisht për pagesën e pagave, respektivisht për të mos larguar punëtorët nga puna.

Por, një pjesë e madhe e të punësuarve kanë marrë ose aspak nuk e kanë marrë pagën minimale, për çka autoritetet paralajmëruan dënime për pronarët e kompanive. 

Klan Macedonia