Gjylameti: Masa për sektorët më të prekur, po hartohen strategjitë

Qeveria është duke përgatitur një paketë financiare më të zgjeruar e cila do të prezantohet në mes të këtij muaji, dhe do të përfshijë në dhënien e ndihmës financiare kompanitë të cilat janë drejt falimentit. Në një intervistë me skype, deputetja socialiste Blerina Gjylameti, anëtare e Komisionit të Ekonomisë, thotë se paketa e parë zgjidhte nevojat emergjente të kategorive në nevojë, ndërsa e dyta do të jetë më e zgjeruar.

 “Aktualisht kemi një paketë që i përgjigjet nevojave emergjente dhe shtresave e bizneseve të prekura nga masat e karantimit. Është duke u hartuar plani B që lidhet me adresimin e problematikave që kanë lindur së fundi. Janë duke u hartuar strategjitë që kanë të bëjnë jo vetëm me shpëtimin ose mbajten e ekonomisë në këmbë, por dhe me rimëkëmbjen e saj.”

Pasojat negative në ekonomi nga Pandemia e Covid-19 padyshim që janë të shumta thotë Gjylameti, por ende nuk mund të flitet për recesion.

 “Nuk mund të flasim ende për recesion, por efekte negative do të kemi. Masat kanë të bëjnë me sektorët më të prekur, do të lehtësojmë masat me hapjen e disa bizneseve dhe do t’iu përgjigjemi kërkesave që kanë sektorë të tjerë të ekonomisë për tu mbështetur.”

Ajo sqaron se pasi emergjenca shëndetësore të marrë fund, komisioni i ekonomisë dhe qeveria duhet të nisin bisedimet me biznesin për të lehtësuar procedurat për ta, dhe për të parë edhe sektorët e prekur, nëse do të ketë hapësirë fiskale për t’i stimuluar në trajtimin e tyre me taksa.

Në paketën e parë ekonomike qeveria vendosi të ndihmojë pagesën e pagave për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit, ndërsa tashmë është duke e zgjuar këtë paketë për të përfshirë dhe disa profesione të lira dhe kategori biznesesh që kanë nisur shkurtimet e vendeve të punës.

Tv Klan