Administratori i Vllaznisë: Nuk kam konflikte personale

Një pako e dyshimtë poshtë makinës së administratorit të klubit të Vllaznisë Suad Lici alarmoi Policinë e Shkodrës mëngjesin e kësaj të diele. Pakoja e mbështjellë me letër natriban e vendosur në pjesën e pasme të automjetit tip “Benz”, i parkuar poshtë banesës, është pikasur nga vetë Lici, i cili ka njoftuar policinë.

Menjëherë zona rreth makinës është rrethuar nga policia, të cilët pritën ardhjen e forcave xheniere nga Tirana për çaktivizimin e saj. Pas disa orësh ekspertët bënë të mundur heqjen e pakos brenda së cilës kishte rreth 150 gramë tritol. Lënda plasëse u dërguan në laborator për hetime të mëtejshme.

Janë ende të paqarta motivet e këtij akti. E paqartë është ende nëse tritoli nuk shpërtheu apo u vendos vetëm si formë presioni për 46-vjeçarin. Vetë ai u tha gazetarëve se nuk kishte asnjë konflikt të hapur.

Në vendin e ngjarjes shkoi edhe kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi. Ngjarja ndodhi vetëm pak orë përpara se klubi i Vllaznisë të luajë në Durrës ndaj Teutës. Policia e Shkodrës ka marrë dëshminë e Licit dhe tha se po heton ngjarjen në disa pista.

Tv Klan