Agjentët e FBI-së arrestuan në Florida një person të dyshuar si i lidhur me pakot bombë të dërguara ditët e fundit ish-presidentëve Barack Obama e Bill Clinton, ish-kandidates për Shtëpinë e Bardhë Hillary Clinton, filantropit George Soros apo aktorit të njohur Robert De Niro.

I arrestuari është një 50-vjeçar me të shkuarë kriminale, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Hetuesit janë në kërkim të bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe një qendre prej ku niseshin zarfat me eksplozivë.

Shërbimet sekrete amerikane hedhin dyshime se pakot nuk ishin planifikuar të shpërthenin apo të vrisnin personat të cilëve u drejtoheshin, por thjesht të trembnin njerëzit e të shkaktonin përçarje. Kjo pasi skanimet me rreze X treguan se pajisjet e vendosura në pako nuk kishin ndezës për të kryer shpërthimin, por nga ana tjetër përmbanin pluhur shpërthyes.

Aktualisht numërohen 12 pako-bombë drejtuar 10 personave, të gjithë kundërshtarë apo kritikë të presidentit amerikan. Presidenti Trump fajësoi ato që i konsideron “media të rëndomta” për përhapje paniku.

Tv Klan