delegacioni-vjene

“Kufizim i aktivitetit bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve të OKB -së, SHBA dhe BE-së”. Ky është thelbi i marrëveshjes së arritur të martën në Vjenë, pas më shumë se një dekade, mes fuqive të mëdha dhe Iranit.

Presidenti amerikan, Barak Obama tha se me këtë marrëveshje, çdo shteg që çon tek arma bërthamore është mbyllur.

Kongresi duhet ta shqyrtojë për 60 ditë, megjithëse shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se do të vendosë veton, nëse do të përballet me bllokimin e paktit.

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani e cilësoi një kapitull të ri në marrëdhëniet e vendit të tij me botën. P5+1, siç njihej grupimi perëndimor, i kërkoi Iranit të tërhiqet nga aktivitetet e ndjeshme nukleare, për të garantuar se nuk do të ndërtojë armën bërthamore.

Presidenti rus, Vladimir Putin përmes një komunikate tha: Me arritjen e marrëveshjes, bota mund të marrë frymë lirisht.

Presidenti sirian, Bashar Al Asad, përmes një letre drejtuar Ajatollah Ali Kameneit, e quajti një fitore të madhë arritjen e një marrëveshjeje.

Kryeministri izraelin Benjamin Netanjahu e cilësoi një gabim të mrekullueshëm historik.

OKB deklaroi heqjen e menjëhershme të sanksioneve, por në rast shkelje të marrëveshjes, sanksionet do të rihyjnë në fuqi brenda 65 ditësh.

Negociatat mes Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë nisën në vitin 2006.

Tv Klan