Kombet e Bashkuara hodhën poshtë një propozim të ri izraelit për të kontrolluar ndihmat humanitare që hyjnë në Gaza. Sipas sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres, Izraeli rrezikon “kontrollimin e mëtejshëm dhe kufizimin e pashpirt të ndihmës deri në grimcën e fundit të miellit”.
“Më lejoni të jem i qartë: ne nuk do të marrim pjesë në asnjë marrëveshje që nuk respekton plotësisht parimet humanitare: humanizmin, paanshmërinë, pavarësinë dhe neutralitetin.”
Në enklavën palestineze me rreth 2.1 milionë njerëz nuk është futur asnjë lloj ndihme që nga 2 Marsi. Izraeli thotë se nuk do të lejojë hyrjen e mallrave dhe furnizimeve në Gaza derisa militantët palestinezë të Hamasit të lirojnë të gjithë pengjet e mbetur. Agjencia ushtarake izraelite që koordinon ndihmën, propozoi javën e kaluar “një mekanizëm të strukturuar monitorimi të ndihmës” për Gazën.
Të fundit që u refuzuan të kalojnë kufirin ishin ndihmat e Francës. Nga Egjipti, presidenti francez Emmanuel Macron tha se rifillimi i hyrjes së ndihmave humanitare dhe ilaçeve në Gaza është një “prioritet”. Ai vizitoi qytetin egjiptian Arish, pranë kufirit me enklavën.
“Prioriteti është rifillimi i ndihmës humanitare, mbështetja për të gjithë punëtorët tanë humanitar”, tha Macron, duke qëndruar përpara ndihmave të dërguara nga Franca, të cilave iu refuzua hyrja në Gaza.
Qindra mijëra palestinezë në Gaza janë sërish në rrezik nga uria e rëndë dhe kequshqyerja pasi zgjerimi i aktivitetit ushtarak të Izraelit po pengon rëndë operacionet e ndihmës ushqimore të koordinuara nga OKB-ja.
Në një deklaratë përpara kthimit në Izrael, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ai dhe Trump janë të vendosur për të eliminuar Hamasin. Ata diskutuan edhe vizionin e Trump për Gazën.
“Ne jemi aktualisht në kontakt me vendet që mund të marrin një numër të madh banorësh të Gazës.”
Klan News