PS: Drafti gati javën tjetër. PD: Sipërfaqësor

Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e opozitës së bashkuar janë mbledhur sërish këtë të martë të ndarë për të diskutuar mbi amendimet që kërkon Kodi Elektoral sipas propozimeve të OSBE ODIHR-it.

Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm janë dëgjuar propozimet e Shoqërisë Civile. Bashkëkryetari Gjiknuri lajmëroi se javën e ardhshme do të jetë gati dhe drafti me propozimet për administratën zgjedhore, ndërsa Rudina Hajdari këmbëngul se nuk do të ketë ndarje të reformës në dy faza.

Pas mbledhjes se ekspertëve, demokrati Oerd Bylykbashi i cilëson sipërfaqësore ndërhyrjet e propozuara nga shumica dhe thotë se puna që po bëhet në selinë blu i jep zgjidhje problematikave që hasen gjatë proceseve zgjedhore.

Për Kristaq Kumen, ish-kreun e KQZ, kërkohet një zgjidhje që puna e ekspertëve të të dy palëve të mund të përafrohet. E madje ai e ka gati një të tillë.

Sipas Kumes, nëse do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor, atëherë kërkohet që amendimet aktuale që propozon komisioni duhet të rishikohen. Fakt që u pranua dhe nga socialisti Gjiknuri.

Tv Klan