Kryeqytetit do të i shtohet një pallat sporti i posaçëm për lojërat me dorë. Gjatë një takimi me vajzat e skuadrës së basketbollit “Tirana” që u shpall kampione të Shqipërisë, kreybashkiaku i Tiranës tha se mandatin tjetër do i kushtohet më shumë vëmendje sportit.

“Ajo që besoj bëmë me Parkun Olimpik duhet të jetë tani steka se si duhet të jenë mjediset e reja sportive. Ne kemi një koncept, do ta prezantojmë edhe këto ditë, të Pallatit të ri të Sportit. Vërtet Parku Olimpik është mirë për këto lloj aktivitetesh, por nëse do duhen mega aktivitete, do të duhet të kemi një Pallat të mirë Sporti, që të ketë 4- 5 mijë vetë, parkim nëntokësor”.

Duke hequr një paralelizëm me politikën, Veliaj tha se fokusi duhet të jetë tek ata që japin rezultate.

“Financat që i hedhim aty ku merret kupa, i hedhim për inerci, meqë kështu ka qenë gjithmonë. Po kush tha që kështu duhet të jetë gjithmonë? Ne duhet të shpërblejmë më të mirën. Kjo nuk ndodh vetëm në sport, edhe në art, në muzikë. Kjo ndodh edhe në politikë, ku për inerci, ti vazhdon t’i mbash në ‘piacë’ jo detyrimisht më të mirët, por vetëm sepse kanë qenë gjithmonë aty. Ka ardhur koha që të mbajmë në ‘piacë’ atë që sjell kupa, atë që prodhon rezultat, kjo është mënyra më e mirë”.

Sipas Veliaj, Bashkia e Tiranës ka bërë një sërë investimesh në fushën e sportit, duke rikonstruktuar dhe hapur palestrat e shkollave për të gjithë atë që duan të ushtrojnë aktivitete sportive.

Tv Klan