Ekspertët: Të shemben 7 pallate në Kombinat dhe 1 në Zall-Herr

Shtatë pallate në Kombinat dhe një në Zall-Herr duhet të shëmben. Është ky konkluzioni i inxhinierëve në akt ekspertizat e thelluara gjatë dëgjesës në Bashkinë e Tiranës.

Sipas tyre, këto pallate kanë pësuar dëme tepër të rënda, ku kostoja e ndërhyrjes tejkalon edhe vlerën nëse këto godina do të rindërtoheshin nga e para. Ekspertët propozuan shembjen e këtyre objekteve për t’u rindërtuar.

Bashkia e Tiranës do të vijojë më seancat e tjera dëgjimore e me ekspertë dhe inxhinierë për pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe marrjen e një vendimi për këto objekte.

Pallatet që do të shemben janë:  pallati 138 në rrugën “Llambi Bonata”, pallati nr. 152 në rrugën “Haki Stermilli”, pallati nr. 158 në rrugën “Llambi Bonata”, pallati nr. 161 në rrugën “Sokrat Mosko”, pallati nr. 168/2 në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, pallati nr. 140 në rrugën “Haki Stermilli”, pallati nr. 14 në rrugën “Llambi Bonata” dhe pallati nr.6 në Dritas-Zall-Herr.

Tv Klan