Opinion-Mbreti i Shqipërisë nuk deshi më shumë se disa çaste për të vendosur se ku do të ishte pallati i ardhshëm i tij. I ulur përballë arkitektit italian më të njohur në botë, Zogu I vuri gishtin mbi kodrën e Saukut, në periferinë e largët të qytetit të asaj kohe. Luftëtar i vjetër, njohës i shkëlqyer i mentalitetit të popullit të tij, ai e dinte se zona rrëzë malit të Dajtit, ishte zona më lehtësisht e arritshme nga kryengritësit e veriut, ndaj dhe zgjodhi kodrat e Saukut.

Dëshira e tij për ndërtimin e Pallatit Mbretëror do të plotësohej vetëm përgjysmë. Pallati u ndërtua, por ai nuk do të shkelte kurrë mbi të.

Përmes një dokumentari në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, më datë 21.04.2005, trajtohet pikërisht historia e nderimit të këtij pallati.

Historia reale e Pallatit Mbretëror, ose siç njihet ndryshe Pallati i Brigadave, fillon bashkë me Mbretin Zog në vitin 1930, kur ai kishte hyrë në vitin e 3-të të mbretërimit të tij. Zogu u kujdes vetë që për ndërtimin e tij të përfshiheshin arkitektët më të mirë të kohës.

Ai thirri fillimisht në Tiranë Florestano Di Fauston, njeriun që kishte projektuar vilën e tij në Durrës, kompleksin e ministrive dhe sheshin qendror të Tiranës. Di Fausto qe i pari që përgatiti një projekt mjaft ambicioz, qe parashikonte ndërtimin në 83 hektarë të kodrave të Saukut, një vilë për Mbretin dhe një për Mbretëreshën. Por ky projekt nuk u zbatua kurrë.

Nuk dihet pse dhe si, por Mbreti Zog e ndërroi atë me një tjetër arkitekt italian me pak të njohur, të quajtur Giulio Berte. Më 8 Korrik të vitit 1937, Berte paraqiti përpara Mbretit projektin e tij, që u miratua pa shumë debat.

Punimet pritej të fillonin në vitin 1938, por ato filluan disa muaj më vonë dhe deri në vitin 1939 kur Zogu iku, gurët mjaftuan për të rrethuar 83 hektarët. Mëngjesin e 7 Prillit 1939, Mbreti Zog u largua nga po ajo rrugë ku po ngrihej pallati i tij, pa e ditur se nuk do të kthehej më kurrë në Shqipëri.

Por duket se me vendosjen e italianeve fillon edhe historia e vërtetë e Pallatit Mbretëror, vetëm pak javë pas pushtimit, ata vendosin që Pallati i pa nisur të shndërrohej në seli të mëkëmbësit të Mbretit, që në atë kohë ishte një fisnik fiorentin, Francesco Jacomoni, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri. Inagurimi i Pallatit Mbretëror u bë me 10 Maj të vitit 1941, në ditën e vizitës së Victor Emmanuel në Shqipëri, por ky pallat nuk shërbeu kurrë për atë që u ndërtua, si Pallat Mbretëror.

Në ditët e vizitës së Emmanuel në Shqipëri, pallati qe ende i ri dhe nga frika e lagështisë, Mbreti u akomodua në pallatin e vjetër. Që nga viti 1941 dhe deri në vitin 1943, ai shërbeu si seli dhe rezidencë e mëkëmbësit. Kur gjermanët mbërritën aty me 1943, thjeshtë e morën në mbrojtje dhe nuk zhvilluan ndonjë aktivitet.

I izoluar, disi i fshehur pas mureve të larta dhe gjelbërimit, ai është konsideruar gjithnjë si simbol i luksit dhe pasurisë së papranueshme për komunizmin. Ai është ndërtuar në stilin e racionalizmit funksional të viteve 30-të dhe është i vetmi pallat mbretëror në ketë stil arkitektonik, krejtësisht unikal.

Mobilimi, zbukurimet dhe gjithçka tjetër është ndërtuar ekskluzivisht për të. Xhamat e pallatit u punuan nga firma më e njohur në botë për kohën, po ashtu edhe abazhurët. Në hyrje të pallatit është një pikturë e Odise Paskalit, bërë në atë kohë enkas për Pallatin Mbretëror. Në sallën e fronit janë rikthyer dy fronet mbretërore, ai i mbretit dhe i mbretëreshës, që për vite me radhë kishin qëndruar në një cep të banjove të katit të parë.

Salla qendrore është stolisur me piktura fiorentine, autori i të cilave nuk dihet ende. Kati i dytë i ndërtesës është familjar. Aty ndodhen apartamentet kryesore të pallatit, ai i mbretit, mbretëreshës dhe i mëkëmbësit. Në dhomën e mbretëreshës gjendet një pasqyrë e thyer dhe në një shënim thuhet se është goditur nga predhat që brigadat partizane qëlluan ndaj asamblesë kushtetuese pro gjermane, më 18 Tetor 1943. Por ngjarja nuk duket të jetë e vërtetë. Ata që e njohin pallatin prej shumë kohësh thonë se predha nuk mund të hynte aty pa përshkuar më parë dritaren, e cila është krejt e paprekur.

Problemi më i madh i Pallatit Mbreteror shqiptar mbetet ai i dëmtimeve. Një restaurim që është bërë në vitet 80-të, duke e veshur me sova plastike, e ka dëmtuar më shumë atë. Nuk ka një shifër të saktë, por mendohet se rikonstruksioni i saj kërkon rreth 10 milionë euro. E kjo nuk është e gjitha. Për ta bërë atë duhet një firme e specializuar dhe në Shqipëri nuk ka asnjë të tillë. Restaurimi bëhet edhe më i vështirë, sepse çdo gjë duhet porositur, pasi asgjë nuk është prodhim serie dhe nuk mund të gjendet kudo./tvklan.al