Pallati i Kulturës në Kamëz është inauguruar në vitin 2013, por funksionoi deri në vitin 2015. Në janar të vitit 2016 specialistët u zëvendësuan me punonjës të pakualifikuar. Sot biblioteka pothuaj nuk hapet, ndërsa jashtë pallatit të kulturës të moshuarit luajnë domino, ndërsa artistë amatorë u bien veglave.

Nga Janari i vitit 2016 Pallati i Kulturës ndryshoi dhe humbi funksionin parësor atë për të sjellë art dhe kulturë për bashkinë e Kamzës. Biblioteka gjithashtu është e mbyllur. Burime për emisionin “Stop” bëjnë me dije se specialistët që punonin deri në vitin 2015 u shkarkuan dhe në vitin 2016 u zëvendësuan me persona që nuk kanë lidhje me artin dhe kulturën.

Drejtori Baftjar Qera, pranon se punonjësja e bibliotekës është fizioterapiste dhe ai ka 4 punonjës në të gjithë institucionin.

Drejtori: Biblioteka ka një fond rreth 2000 libra, ka një punonjëse, e cila ka njëfarë orari, ja përshembull tani ajo nuk është aty, vjen me orar ajo, me një fjalë, që rri.

Gazetarja: Kur vjen ajo?

Drejtori: Ajo vjen 4 me 7.

Drejtori: Po nuk ka biblioteka gjithë ditën hapur, moj ti, zonjë. Biblioteka nuk rri hapur gjithë ditën.

Gazetarja: Pse nuk rri hapur gjithë ditën?

Drejtori: Biblioteka jonë është në kat të katërt.., kat të tretë dhe ne nuk mund ta lemë pallatin hapur, ti e sheh ça ambienti është këtu. Nuk është në kat të parë, që t’i hapim një derë të veçantë. Ky është një defekt, që me thënë të drejtën, ne kemi vazhduar ta diskutojmë,  po për shkak të ndërtimit të Pallatit të Kulturës, nuk kemi ku e çojmë, nuk e ka krijuar këtë funksionin, që të jetë diku tjetër.

Drejtori: Nuk kemi, ku e çojmë fare bibliotekën në një vend, që të jetë direkt, të hyjë nga bulevardi.

Gazetarja: Në 2015-ën kanë ndodhur disa ndryshime dhe specialistët e kulturës janë pushuar nga puna dhe janë zëvendësuar me fizioterapistë. Është fizioterapiste kjo?

Drejtori: Po, kjo është fizioterapiste, kjo është e vërtetë, është si punonjëse e bibliotekës.

Gazetarja: Po të tjerët?

Drejtori: Unë jam drejtori, kam një fonist, kam një specialist skenograf  edhe një pastruese.

Të gjithë punonjësit që kanë punuar nga viti 2013 deri në vitin 2015 janë pushuar në Janar të vitit 2016.

/tvklan.al