Një pallat në rrugën “Foti Janku” në kryeqytet është shpallur i pabanueshëm nga Njësia Administrative Numër 9. Çarjet dhe plasaritjet në kolonat e kupolës mbajtëse të pallatit rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve nëse dëmtimet nuk riparohen. Për këtë arsye, ekspertët e bashkisë kanë vlerësuar se banorët duhet të largohen nga apartamentet.

“Si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019 pallati juaj ka pësuar dëmtime të konsiderueshme të cilat nuk krijojnë garanci në rast të përsëritjes së tërmeteve. Për këtë arsye jeni të lutur të gjithë banorët të largohen nga banesa me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të gjithë secilit prej jush”, thuhet në shkresën e lënë në hyrjen e pallatit nga njësia administrative.

Nga 20 familje, 17 prej tyre janë larguar tek të afërmit. 3 familjet e mbetura kanë tentuar të marrin masa duke vendosur element hekuri mbajtës në strukturën që rrezikon të shembet, por pa patur siguri se një gjë e tillë do i garantojë.

Ditën e nesërme, banorëve iu është premtuar se do vijnë ekspertët grekë për të dhënë një vlerësim më të specializuar për gjendjen tërësore të pallatit dhe nëse është e mundur që nëpërmjet riparimeve pallati mos të rrezikojë shembjen./tvklan.al