Skuadra nga Sao Paolo fitoi trofeun për herë të dytë radhazi duke mposhtur Flamengon me rezultatin 2-1

Skuadra e Palmeirasit fitoi Kupën Libertadores për vitin e dytë radhazi, duke mposhtur Flamengon me rezultatin 2-1. Finalja braziliane u luajt në stadiumin “Centenario” në Montevideo të Uruguait.

Kjo është hera e tretë në histori që klubi nga Sao Paolo ka fituar trofeun, ekuivalent i Ligës së Kampioneve. Gjithashtu është hera e parë që një skuadër ka arritur që të mbrojë titullin kampion që nga viti 2001, kur ia doli Boca Juniors.

Rafael Veiga kaloi Palmeirasin në avantazh pas pesë minutash lojë. Por për Flamengon barazoi Gabriel Barbosa kur duheshin edhe 18 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt.

Por në kohën shtesë, Deiverson mposhti portierin Diego Alves dhe realizoi golin e fitores. Sulmuesi brazilian u bë protagonist më vonë me një simulim të çuditshëm, në përpjekje për të vonuar takimin, i cili u bë viral në rrjetet sociale.

Klan News