Palmer: Do të donim që të zgjidhej ngërçi politik në Shqipëri

Palmer: Do të donim që të zgjidhej ngërçi politik në Shqipëri

00:32 19/09/2019

“Nuk i zgjedhim ne fituesit dhe humbësit”

Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor tha Uashingtoni do të donte që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Palmer shprehet se Shtetet e Bashkuara kanë pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë siç kane pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme.

“Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time” – u shpreh Palmer duke shtuar: “Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike”.

Palmer shton se Shtetet e Bashkuara i kuptojnë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesin qëllimin e reformave duke nënvizuar se OSBE ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri.

“Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë” – tha Palmer. Sipas tij është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike.

“Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme”- e mbyll Palmer.

Tv Klan


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori